Harriet Sherwood
“Dita pas luftës” midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza mund të jetë ende javë apo muaj larg. Por do të vijë. “Kur kjo krizë të marrë fund, duhet të ketë një vizion për atë që do të vijë më pas,” tha presidenti amerikan Joe Biden kohët e fundit. “Dhe sipas këndvështrimit tonë, duhet të jetë një zgjidhje me dy shtete.”
Në sfondin e cikleve të përsëritura të dhunës dhe një pushtimi ushtarak që zgjat më shumë se gjysmë shekulli, diplomatët dhe analistët pajtohen se paqja e qëndrueshme duhet të pasojë luftimet më të përgjakshme midis izraelitëve dhe palestinezëve në disa dekada.
Zgjidhja me dy shtete për konfliktin që ka pllakosur rajonin për gati një shekull – ndarja e tokës midis lumit Jordan dhe Mesdheut për të krijuar dy shtete, Izraelit dhe Palestinez, që bashkëjetojnë në fqinjësi – është mbështetur vazhdimisht nga udhëheqësit botërorë.
Por ka rezultuar e pamundur që Izraeli dhe palestinezët të arrijnë një marrëveshje. Dhe, që kur bisedimet e ndërmjetësuara nga John Kerry, atëherë sekretari amerikan i shtetit, u ndalën në vitin 2014, e teksa vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor janë zgjeruar, konsensusi ka qenë se zgjidhja me dy shtete ka “vdekur”.
Kjo pikëpamje është përforcuar nga sondazhet e opinionit të kryera pak para sulmit vdekjeprurës të Hamasit ndaj qytetarëve izraelitë më 7 tetor. Në shtator, një studim i Qendrës Kërkimore Pew zbuloi se vetëm 35% e izraelitëve besonin se “mund të gjendet një mënyrë që Izraeli dhe një shtet i pavarur palestinez të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore” – një rënie prej 15 pikë përqindjeje që nga viti 2013.
Dhe një sondazh i Gallup zbuloi se vetëm 24% e palestinezëve që jetonin në Bregun Perëndimor, Gaza dhe Jeruzalemin Lindor mbështesin një zgjidhje me dy shtete, nga 59% në që ishin në vitin 2012. Të rinjtë palestinezë ishin dukshëm më pak entuziastë se prindërit e tyre.
A mund të ringjallet zgjidhja me dy shtete? Dhe, duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme, tensionet rajonale dhe praninë e kolonëve në atë që do të ishte një shtet palestinez, si mund të duket ajo?
“Nuk ka alternativa të tjera të mundshme,” thotë Yossi Mekelberg, një bashkëpunëtor në qendrën Chatham House.
“Zgjidhja me dy shtete është alternativa më pak e keqe për t’u mundësuar izraelitëve dhe palestinezëve të përmbushin të drejtat e tyre politike, civile dhe njerëzore.”
Yossi Beilin, një ish-negociator izraelit për paqen, thotë: “Kjo është zgjidhja e vetme – nuk ka konkurrencë realiste”.
Por sipas Aaron David Miller, këshilltar për Lindjen e Mesme për administratën demokratike dhe republikane, ” duhet të bëjmë dallimin midis aspiratës dhe realitetit”. Ai gjithashtu paralajmëroi: “Shanset janë shumë, shumë të ulëta. Është në thelb një mision i pamundur.”
Ka shumë pengesa në rrugën e një zgjidhjeje me dy shtete, thotë Miller. Menjëherë pas luftës, “do të mbeten dy shoqëri thellësisht të traumatizuara”.
Qeveria e ekstremit të djathtë të Izraelit është kundër idesë së një shteti të pavarur palestinez dhe udhëheqësi i saj, Benjamin Netanyahu, ka bllokuar përparimin në këtë çështje për shumë vite. Pak presin që ai të mbijetojë si kryeministër pasi të përfundojë lufta, por nuk ka asnjë alternativë të dukshme pro paqes.
Autoriteti Palestinez, i udhëhequr nga Mahmoud Abbas, i cili ka munguar kryesisht në skenë muajin e kaluar, nuk ka besueshmëri në publik. Abbas është 87 vjeç dhe mandati i tij katërvjeçar si president, deri më tani ka zgjatur gati 19 vjet.
Pasardhësi i tij i vetëm i besueshëm, Marwan Barghouti, një udhëheqës i lartë i fraksionit politik Fatah dhe hero për shumë palestinezë, ka qenë në një burg izraelit për 21 vjet, duke vuajtur pesë dënime të përjetshme për vrasje.
“Ai që mungon nga të dyja palët është lidershipi dhe vullneti politik. Të dyja palët duhet të zgjohen pas kësaj lufte të tmerrshme dhe të gjejnë lidership të ri”, thotë Mekelberg.
Në SHBA, tradicionalisht drejtuese e procesit të paqes në Lindjen e Mesme, energjitë e Bidenit do të përthithen pashmangshmërisht nga lufta për të mbajtur presidencën e tij gjatë 12 muajve të ardhshëm. Nëse ai humbet përballë Donald Trump, shanset për të ringjallur zgjidhjen me dy shtete janë afër zeros.
Shtetet arabe, të cilat do të ishin aktore vendimtare në çdo proces, mund të frenohen nga zemërimi i popullatës së tyre, për një numër të madh viktimash civile dhe një krize të humanitare në Gaza.
Dhe edhe nëse Izraeli, palestinezët, SHBA-të dhe vendet arabe do të ishin të vendosur për të çuar përpara një proces të ri paqeje, sfidat kryesore të çdo marrëveshjeje – kufijtë dhe vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, e ardhmja e Jeruzalemit, “E drejta e kthimit” e refugjatëve palestinezë dhe pasardhësve të tyre, siguria dhe Gaza – janë ende në tryezë.
Megjithatë, parimet për një marrëveshje janë pranuar për shumë vite, thotë Hiba Husseini, avokate palestineze me banim në Ramallah. “Ne e dimë se si duket një zgjidhje me dy shtete.”
Ajo dhe Beilin kanë bërë një propozim për një konfederatë izraelito-palestineze – një “bashkëjetesë e dy shteteve sovrane” – për të trajtuar një sërë detajesh.
Disa vendbanime hebraike afër “vijës së gjelbër” të para vitit 1967 – linja e marrëveshjes së armëpushimit të vitit 1949, që pasoi shpalljen e shtetit të Izraelit në 1948 – do të përfshiheshin në Izrael, me kompensim shkëmbimet e tokës për një shtet të ri palestinez; një parim i pranuar gjerësisht nga të gjitha palët.
Sipas planit të konfederatës, izraelitët që jetojnë në vendbanime më të thella në Bregun Perëndimor do të jenë në gjendje të zgjedhin nëse do të zhvendosen në shtëpi brenda Izraelit apo do të qëndrojnë aty ku janë si qytetarë izraelitë, por banorë të përhershëm të Palestinës, duke rënë dakord të respektojnë ligjet e shtetit të ri. Një numër qytetarësh palestinezë do të mund të lëvizin në Izrael, me të njëjtat kushte.
Qyteti i Vjetër i Jeruzalemit, shtëpia e vendeve të shenjta të rëndësishme myslimane, hebraike dhe të krishtera, do të bëhej një “qytet i hapur”, i administruar së bashku nga të dy shtetet. Qyteti i hapur më vonë do të zgjerohej për të përfshirë të gjitha lagjet e tij hebreje dhe myslimane.
Gaza “nuk mund të lihet jashtë” nga një shtet i ardhshëm palestinez, thotë Husseini. Do të duhet të ketë korridore tokësore midis Bregut Perëndimor dhe Gazës për të lejuar aksesin, por “tashmë ka plane për ta”.
Sipas këtyre planeve ekzistuese, një shtet palestinez do të kishte një forcë policie, por jo një ushtri apo forcë ajrore; dhe një numër simbolik i pasardhësve të refugjatëve palestinezë do të lejoheshin të ktheheshin për të jetuar në Izrael.
Parimi i dy shteteve që jetojnë krah për krah është “jo vetëm i mundshëm, por edhe kritik”, thotë Huseini. “Para kësaj lufte, ekzistonte një politikë e ‘menaxhimit’ të konfliktit. Tani është e qartë se ishte një politikë e dështuar.”
Ndërkohë, zgjidhja me një shteti ka marrë vrull, veçanërisht në mesin e palestinezëve dhe mbështetësve të tyre, në mungesë të ndonjë lëvizjeje drejt një shteti palestinez krahas një shteti izraelit.
Ideja është në thelb që një shtet demokratik të ekzistojë në tokën që tani është Izraeli dhe territoret palestineze, me vota të barabarta për të gjithë. Por në mënyrë të pashmangshme do të nënkuptonte fundin e shtetit hebre, pasi hebrenjtë do ishin brenda popullsisë së një shteti të vetëm.
Numrat tashmë janë të pabarabartë. Sipas byrosë izraelite të statistikave vitin e kaluar, hebrenjtë përbënin 74% të popullsisë izraelite, me 7 milionë banorë. Popullsia arabe e Izraelit ishte 21%, ose pothuajse 2 milionë. Këtë vit, Byroja Qendrore Palestineze e Statistikave e vlerësoi popullsinë e Bregut Perëndimor dhe Gazës në pothuajse 5.5 milionë.
Kur i shtohen 2 milionë palestinezët që jetojnë në Izrael, totali është gati 7.5 milionë – më shumë se popullsia hebreje e Izraelit. Dhe popullsia palestineze është dukshëm më e re dhe për këtë arsye po rritet më shpejt.
Zgjidhja me një shtet është jorealiste, thotë Yehuda Shaul, bashkëthemelues i Ofek, një institut i pavarur izraelit i përkushtuar për të çuar përpara një zgjidhje me dy shtete. “A mund ta shihni një realitet në të cilin hebrenjtë izraelitë heqin dorë nga hegjemonia demografike brenda vijës së gjelbër dhe vendosin të ndajnë tokën dhe të bëhen pakicë?”
Por, ai shton: “A besoj se zgjidhja me dy shtete është afër? Jo. A besoj se projekti kombëtar i shtetit të Izraelit është të parandalojë një rezultat me dy shtete? Po.”
Publiku palestinez shpejt do të ripërqafonte një zgjidhje me dy shtete, thotë Husseini. “Opinioni në rrugë i përgjigjet asaj që po ndodh. Humori pasqyron momentin, dhe tani momenti është shumë i errët. Por nëse kemi një horizont ku mund të shohim një fund të lojës, humori do të ndryshojë.”
BE-ja ka thënë se është “gati të kontribuojë në ringjalljen e një procesi politik mbi bazën e zgjidhjes me dy shtete”. Ajo ka bërë thirrje për një konferencë paqeje që do të mbahet brenda gjashtë muajve nga përfundimi i luftës.
“Paqja nuk do të vijë vetvetiu; ajo duhet të ndërtohet”, tha Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së. “Zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja e zbatueshme që ne njohim. Dhe nëse kemi vetëm një zgjidhje, duhet t’i kushtojmë të gjithë energjinë tonë politike për ta arritur atë.”
Shumica e vëzhguesve pajtohen se nevojitet një udhëheqje e freskët dhe e guximshme politike nga të dyja palët. “Të dyja palët do të duhet të bëjnë llogaritë,” thotë Miller. “Ajo që nevojitet është një [Nelson] Mandela dhe një [FW] De Klerk, ose dikush i ngjashëm. Liderë mund të dalin sërish – shikoni [presidentin ukrainas Volodymyr] Zelenskiy.
Sipas Beilin, me lidership dhe vullnet politik, një marrëveshje kuadër mund të arrihet relativisht shpejt: “Jo pak javë, por në një vit është e mundur,” tha ai. Mbështetja publike do të pasonte direkt.
Ai shton: “Në prag të Oslos [marrëveshjeve historike të paqes të 1993], pati kundërshtim të plotë ndaj çdo kontakti me PLO [Organizata për Çlirimin e Palestinës]. Pasi u firmos marrëveshja, pati një mbështetje të madhe. Dhe unë besoj se, nëse mund të arrihet një marrëveshje pas kësaj lufte, do të ketë gjithashtu mbështetje të madhe.” Observer – Bota.al