Shkruan për The Geopost Taulant Elshani
Ndryshimet dhe çarjet e mëdha në peisazhin gjeopolitik global po japin efektet e tyre edhe në rajonin e Ballkanit. Serbia është padyshim nyja kritike e këtij degëzimi ndryshimesh, duke artikuluar haptazi idenë politike për revizionizëm përmes programit “Bota Serbe” dhe duke manifestuar qartazi edhe gatishmërinë për të rrezikuar paqen në rajonin e Ballkanit juglindor me retorikë të ashpër nacionaliste dhe me agresione të hapura kundër Republikës së Kosovës, si dhe obstruksione të vazhdueshme në Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Në kontekstin politik revizionizmi i referohet kundërshtimit dhe sfidimit të hapur të narrativave të etabluara historike, sistemeve politike apo normave ndërkombëtare. Në këtë logjikë të definimit, duke mos njohur realitetin në shtetin e ri të Kosovës, duke gërryer qëndrueshmërinë institucionale të Bosnjë-Hercegovinës dhe duke ndërhyrë në çështjet e brendshme të Malit të Zi, Serbia hapur sfidon rendin aktual politik dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit.
Një shtysë e fuqishme për riformulimin e ballkanpolitikës serbe ka qenë padyshim edhe agresioni i Federatës Ruse në Ukrainë si dhe paralajmërimet e Kinës për pushtimin e Tajvanit. Copëtimi i Ukrainës që nga viti 2014 e këtej, dhe paaftësia e bashkësisë ndërkombëtare për ta parandaluar, si dhe manovrimet agresive ushtarake të Kinës në ngushticën e Tajvanit janë shembuj se kufijtë shtetërorë, rendet politike si dhe balancat kritike e fragjile rajonale janë subjekt ndryshimet me anë të forcës ushtarake. Në veçanti pushtimi në shkallë të gjërë i Ukrainës në kuptimin e sigursë globale është një tërmet shkatërrimtar, sepse ajo paralajmëron padyshim epokën e revizionizmit, pra të ndryshimit të vazhdueshëm të kufijve me forcë, dhe assesi një rast të izoluar lokal.
Në kuptimin ideologjik shtetëror revizionizmi modern serb përfaqësohet me parullën “Bota Serbe”, (serbisht: Srpski svet; cirilik: Српски свет). Kjo parullë trumbetohet fuqishëm në ligjërimin publik në Serbi, nga politikanë me influencë në nivelet më të larta të Beogradit zyrtar si dhe në mediet e kontrolluara nga shteti. Togfjalëshi “Bota serbe” që filloi të përdorej gjërësisht diku në mes të viteve 2010, është vazhdimësi e politikës zyrtare për ekspansion territorial që rrënjët i ka te programi politik Načertanije i formuluar nga ish shtetari dhe kryeministri serb Ilija Garašanin, ku draftoi idenë e një Serbie të madhe që do të absorbonte të gjithë serbët e rajonit.
Harta e Ballkanit Burimi: Panthermedia
Triniteti profan i Serbisë: Fantazitë Nacioanliste, Bota e Mafias, si dhe Ambiciet Autoritare
Për të kuptuar më mirë Serbinë sot, duhet depërtuar më thellë në dinamikat e brendshme që përcaktojnë jetën politike, nivelin zhvillimor, raportet me vendet e rajonit dhe pozitën aktuale të saj në kontekstin e aspiratave për integrim. Në kuadër të dinamikave të brendshme të pushtetit në Serbi kam përzgjedhur ndërveprimin intenziv dhe me shumë pasoja të fantazisë nacionaliste, gangrenës së krimit dhe mafias si dhe ambicieve autoritariste të pushtetit. Në vazhdim do t’i elaboroj shkurtimisht.
Fantazia dhe dehja nga nacionalizmi primitiv dominon në masë të madhe jetën politike dhe shoqërore në Serbi – duke marrë peng proceset zhvillimore demokratike brenda dhe duke kontribuar në tensionimin e vazhdueshëm të situatës në rajon. Nacionalizmi serb momentalisht shërben si tubi i oksigjenit që mban gjallë dhe ushqen politikën në Serbi, dhe anasjelltas, politika e mirëmban nacionalizmin me premtimin e restaurimit të “madhështisë” të bazuar në mite mesjetare, duke krijuar kështu një rreth vicioz katastrofik që ka mbërthyer pazgjidhshmërisht jetën politike dhe shoqërore në Serbi.
Komponenta e dytë e këtij triniteti është padyshim bota e krimit që është e lidhur organikisht me institucionet e shtetit serb, që vepron si një shtyllë e konsoliduar e pushtetit politik dhe shoqëror. Klanet mafioze në Serbi datojnë qysh në fillim të viteve ’90-ta kur ato u krijuan dhe u fuqizuan nga shteti për llogari të luftrave gjenocidale në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Klanet mafioze dhe kriminale mirëmbahen dhe përdoren ende për llogari të politikës së brendshme dhe projektimit të ndikimit të Serbisë në rajon. Në Serbi klanet mafioze sigurojnë vota për presidentin aktual Aleksandar Vučić, dhe si shpërblim marrin paprekshmërinë dhe favoret biznesore. Në kuptimin e ambicieve rajonale të Serbisë, klanet mafioze e kryejnë punën duke vepruar si dora e fshehtë e shtetit serb, si në sulmin terrorist në Banjskë, për të paraqitur institucionet e vendit si të pa involvuara në agresione ndaj shteteve sovrane.
Komponenta e tretë është autoritarizmi i pushtetit politik në Serbi, që në fakt është një trashëgimi e mungesës së demokracisë që nga themelimi i institucioneve të para politike e burokratike gjatë dhe pas sundimit të Perandorisë Osmane. Autoritarizmi i Aleksandar Vučić, monopolizimi i pushtetit politiko-ekonomik, medias, kontrolli i jetës publike përcakton në masë të madhe pozitën aktuale të Serbisë, si një shtet destruktiv, me potencial jashtëzakonisht të madh për rrezikimin e paqes rajonale. Vučić është aktualisht padyshim piramida e këtij rrjeti kompleks traditash, institucionesh dhe interesash dhe vepron si pararojë dhe garantues i ambicieve tashmë të njohura të Serbisë për revizionizëm, që në kontekstin Ballkanik i bie ndryshim i dhunshëm i kufijve.
A ka forcë reale Serbia të ndryshojë hartën e Ballkanit me forcë?
Serbia ka investuar shumë në riaftësimin e forcave të armatosura dhe aparatit të saj të inteligjencës duke u rikonfirmuar qartë se është e gatshme që retorikën nacionaliste dhe planet për qasjen revizioniste do t’i shoqërojë më forcën reale ushtarake në terren. Nxitja dhe përkrahja e presidentit të entitetit të Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë, ultranacionalistit secesionist Milorad Dodik, loja me përmbysjen demografike dhe Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi si dhe agresioni i hapur dhe sulmi terrorist kundër Kosovës janë indikacionet e para që plani për “Botën serbe” nuk është vetëm një retorikë, por një ambicie reale në kokën e politikanëve në Beograd. Historia na ka mësuar se kurdo që ka pasur përmbysje të fuqisë në planin ndërkombëtar, fuqitë rajonale janë orvatur t’i jetësojnë planet e tyre për hegjemoni rajonale. E njejta mund të ndodh edhe me Serbinë, dhe në një rast të volitshëm gjeopolitik, apo të ndonjë ndryshimi të papritur, Serbia mund të tentojë shumë seriozisht krijimin e “Botës serbe” përmes forcës. Fuqitë përendimore duhet t’i marrin shumë seriozisht këto ambicie të Serbisë, dhe të mos i tolerojnë qysh tani, duke e detyruar Serbinë ta pranojë realitetin e ri, dhe duke e shtyrë atë drejt demokratizimit të brendshëm. Çdo qasje tjetër do të ishte shumë e gabuar.