Gjykata ndërkombëtare për krime lufte ka ngritur akuza të reja ndaj politikanit fashist serb Vojsllav Sheshel. Ende nuk janë bërë publike akuzat që rëndojnë mbi të, ndërkohë që mediat serbe deklaruan se padia lidhet me krimet e kryera nga paramilitarët serbë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Sheshel njihet si ultrancionalist që ka luajtur rol kryesor në masakrat e kryera në Kroaci dhe Bosnjë gjatë viteve 1990, kohë kur mbante dhe postin e zëvendëskryeministrit të qeverisë serbe.
Në vitin 2003 ai u gjykua në Hagë për krime lufte duke e dënuar me 10 vjet burg, por u lirua më pas për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Lajmi vjen pasi Sheshel vendosi për të bashkëpunuar me partinë në pushtet të Aleksandar Vuçiqit për të garuar bashkë në Beograd.
Kreu i Partisë Radikale Serbe (SRS) Vojisllav Sheshel kishte thënë se SRS do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Beograd dhe në qytetet dhe komunat serbe në koalicion me Partinë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit, që aktualisht është në pushtet.
“Kam pasur bisedime me (presidentin serb) Aleksandar Vuçiq, (kryeministren) Ana Brnabiq dhe (kryetarin e Bordit Ekzekutiv të SNS) Darko Glisic dhe ne ramë dakord që SRS të formojë një koalicion me SNS për zgjedhjet e Beogradit dhe zgjedhjet e qytetit dhe komunës në brendësi të Serbisë. Përfaqësuesit tanë do të jenë në listat e kandidatëve dhe ne do të marrim pjesë në pushtetin ekzekutiv”, tha Sheshel për televizionin pro-qeveritar Happy TV.
Këtë bashkim të Sheshelit me Vuçiçin e kanë komentuar si të dëmshëm për Beogradin.
Deputeti i Partisë Demokratike Srgjan Milivojeviq tha se Vojisllav Sheshel është një kandidat i rëndësishëm i partisë në pushtet në zgjedhjet lokale të planifikuara për 17 dhjetor, gjë që tregon se çfarë e pret Beogradin nëse Partia Progresive Serbe fiton ato zgjedhje.
“Sa herë që Sheshel dhe Vuçiq ishin në pushtet, ne jetonim në frikë dhe pasiguri, të izoluar dhe në kundërshtim me botën. Sa herë që Sheshel dhe Vuçiq merrnin vendime, nënat qanin, shalle të zeza dhe këmisha të përgjakur liheshin pas. Sa herë që sundonin radikalët, Serbia bën regres”, theksoi Gjilas dhe konstatoi se Vuçiq ka të drejtë vetëm në një gjë, “këto janë zgjedhje vendimtare sepse qytetarët zgjedhin mes radikalëve të bashkuar dhe normalitetit që na vodhën, zgjedhin mes të kaluarës së tyre të shëmtuar dhe të ardhmes sonë”, kishte thënë ish-kryetari i Beogradit, Dragan Djilas.
Sheshel, i lindur në Sarajevë, u dënua sipas një aktakuze për nxitje të krimeve të luftës në kohë të kaluar nga Gjykata e Hagës pasi kaloi 10 vjet në njësinë e paraburgimit në Scheveningen. Ai u mbajt përgjegjës për dëbimin me forcë të kroatëve etnikë nga provinca veriore e Vojvodinës e Serbisë në fillim të viteve 1990. Shesheli organizoi gjithashtu vullnetarë për paraushtarakët që kryen krime lufte në Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci. Shesheli mban një doktoraturë në drejtësi dhe ka vuajtur në burg si disident nacionalist në Jugosllavinë Socialiste. Ai është një nga themeluesit e Partisë Radikale Serbe ultra-nacionaliste. /The Geopost/