Erion Braçe, në fjalimin e tij në Komisionin e Ekonomisë, ku u diskutua buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë, bëri një propozim: Vajzave dhe grave në Shqipëri t’u njihet e drejta për të marrë raport gjatë ciklit menstrual, raport që duhet të paguhet nga buxheti i shtetit. Ai propozoi gjithashtu që paketa higjieno-sanitare për ditët e ciklit të përjashtohet nga tatimi mbi vlerën e shtuar. (Deklaratën e plotë e lexoni këtu).
Disa vende në botë e kanë aplikuar si ligj pushimin për ditët e ciklit menstrual, i cili për shumë vajza dhe gra është i dhimbshëm, i sikletshëm dhe ndikon në performancën në punë. Mendohet se rreth një e treta e grave që kanë menstruacione vuajnë nga dhimbje të forta të njohura si dismenorrhea. Simptomat përfshijnë dhimbje akute abdominale, diarre, dhimbje koke dhe temperaturë.
Spanja
Spanja u bë vendi i parë në Europë që lejonte vajzat dhe gratë të merrnin pushim 3 ditë në muaj, gjatë ciklit menstrual. Në rastet kur periodat janë shumë të dhimbshme, leja mund të zgjatet deri në 5 ditë.
Japonia
Japonia është vendi që e ka pranuar “lejen e menstruacioneve” qysh në vitin 1947. U krijua një ligj i posaçëm në të cilin është e ndaluar t’u kërkohet vajzave dhe grave që vuajnë nga dhimbjet e periodave që të paraqiten në punë.
Indonezia
Edhe Indonezia e ka aplikuar ligjin e “lejes së menstruacioneve”, sipas të cilit vajzat dhe gratë që përjetojnë dhimbje gjatë ciklit, nuk janë të detyruara të punojnë në dy ditët e para të ciklit.
Korea e Jugut
Në Korenë e Jugut, neni 73 i ligjit të punës parashikon “leje fiziologjike” mujore, sipas së cilës të gjitha punonjëset mund të marrin një ditë pushimi në muaj, për ciklin menstrual. Në vitin 2021, një epror i linjës ajrore “Asiana” u padit në një gjykatë lokale, pasi refuzoi dhënien e lejes të kërkuar nga stjuardesat. Ai hodhi poshtë pretendimin e punonjësve me arsyetimin se ato s’jepnin prova se kishin menstruacione dhe për këtë, u gjobit me një gjobë prej 1,790 dollarësh.
Tajvani
Sipas nenit 14 të barazisë gjinore, në ligjin e punësimit të shtetit të Tajvanit, punonjëset kanë të drejtën të kërkojnë një ditë pushim çdo muaj, e paguar me gjysmën e pagesës së tyre të rregullt. Megjithatë, nëse merren më shumë se 3 leje të tilla në vit, ditët shtesë llogariten si një pushim mjekësor.
Vietnami
Vietnami është një tjetër vend që merr në konsideratë ditët e pushimeve për shkak të ciklit menstrual. Në reformën e vitit 2020, “leja mensturale” u shtua me 3 ditë në muaj (më parë përkonte me një pushim 30-minutësh). Në ditët e lejes, vajzat dhe gratë mund të zgjedhin të mos e marrin pushim dhe të paguhen shtesë.
Zambia
Zambia propozoi konceptin e “Ditës së Nënës”, në të cilën punonjëset mund të marrin pushim një ditë në muaj pa dhënë një arsye, ose pa paraqitur një raport mjekësor.
Skocia
Megjithëse ende s’e ka aplikuar “lejen e menstruacioneve”, Skocia, në gusht të vititi 2018, u bë shteti i parë në botë që vendosi të ofrojë falas produkte të higjienës vetjake për të gjithë nxënësit në shkolla fillore, gjimnaze dhe universitete.