Një trend i ri po qarkullon së fundmi në TikTok, e që duket se ka hapur imagjinatën e përdoruesve ndaj një veçorie të inteligjencës artificiale (AI).
Shumë TikTok-ers po përdorin trendin e zmadhimit, i cili nis me futjen e një fotoje ose videoje në aplikacionin CapCut dhe me ndihmën e inteligjencës artificiale zmadhohet një imazh origjinal, si edhe shtohet një sfond artificial që plotëson pjesën tjetër të figurës.
Këto video dhe foto kanë grumbulluar miliona shikime në TikTok. Shumë individë përdorin Google Photos dhe Adobe Photoshop për të operuar me këtë trend, që duket se po sjell jo pak shqetësim te njerëzit.
Shqetësimet më të mundshme kanë lidhje me ndikimin e inteligjencës artificiale në TikTok. “Kjo është padyshim e frikshme,” shkroi një komentues. Për shkak të fuqisë së këtyre sistemeve, Mia Blume, eksperte IT-je paralajmëron se aplikacionet e AI mund të jenë të rrezikshme jashtë TikTok-ut për shkak të mënyrës sesi disa përdorues janë në gjendje të krijojnë falsifikime dhe të ndryshojnë përmbajtjen në media.
“Teksa mjetet bëhen më të sofistikuara, unë mund të imagjinoj më shumë njerëz që i përdorin ato për të gjeneruar mashtrime të sofistikuara me foto, zë dhe ndoshta edhe video me synimin për të mashtruar njerëzit që njohin dhe besojnë. Me të vërtetë, kjo i vë në rrezik përdoruesit e këtyre platformave,” përfundon ajo.