Irani ka ekspozuar dronët e tij me rreze të gjatë Mohajer-10 në një ekspozitë të mbrojtjes në Rusi, njoftoi të hënën agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit.
Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Iranin për dërgimin e dronëve në Rusi, duke përfshirë paraardhësin e Mohajer-10, Mohajer-6, të cilin Moska e përdori në pushtimin e saj në Ukrainë. Teherani e mohon këtë.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit, Agjencia e Lajmeve të Republikës Islamike, raporton se sistemi më i avancuar u demonstrua në forumin ndërkombëtar ushtarak-teknik Army 2024, i cili po mbahet nga e hëna në të mërkurë në Parkun Patriot jashtë kryeqytetit rus.
Raporti erdhi ndërsa Lindja e Mesme po përgatitej për hakmarrjen e kërcënuar të Iranit kundër Izraelit pas vrasjes më 31 korrik të shefit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran.
Irani publikoi detaje të sistemit Mohajer-10 në gusht të vitit të kaluar, duke thënë se ai kishte një rreze më të gjatë fluturimi dhe mund të mbante një ngarkesë më të madhe.
Një video që shoqëron këtë raport tregoi dronin së bashku me pajisje të tjera ushtarake dhe tekstin “Përgatitni strehimoret tuaja” në hebraisht dhe persisht.
Sipas raporteve të mediave iraniane, droni ka një rreze veprimi prej 2,000 kilometrash (1,240 milje) dhe mund të fluturojë deri në 24 orë. Ngarkesa e tij mund të jetë deri në 300 kilogramë, dy herë më e madhe se ajo e Mohajer-6, shtuan raportet./VOA/