Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, është sërish në qendër të vëmendjes për shkak të përhapjes së dezinformatave për situatën në Kosovë. Ai dezinformoi për gjoja përshkallëzimin e dhunës dhe për atë se gjoja “shqiptarët mund të shfrytëzojnë pushimet verore të studentëve të Universitetit të Mitrovicës së Veriut për të sulmuar veriun, veçanërisht urën mbi Ibër”.
Vulin tha:
“Këtë vit pres një shtrëngim në Kosovë deri në shtator, sepse e shoh nga reagimet e Quint-it (SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) të cilët vetëm kërcënojnë Albin Kurtin, por nuk bëjnë asgjë. Zakonisht, kur kjo ndodh, gjërat marrin një kthesë të rrezikshme. Tani është koha ideale për të sulmuar (shqiptarët e Kosovës) në veri”, tha Vulin, duke shtuar se “universiteti në Mitrovicën e Veriut me 8,000 studentë, të cilët gjithmonë mbrojtën urën ndërmjet pjesëve jugore dhe veriore të Mitrovicës dhe parandaluan sulmet në veri, tani është në pushime verore.”
Analiza:
Për të krijuar tension dhe frikë te popullata serbe, Vuli dezinformon se shqiptarët e Kosovës po planifikojnë sulm në veri. Pretendime të tilla janë të pabaza dhe pa fakte.
Po ashtu, Vulin ekzagjeron rolin e studentëve në Mitrovicën e Veriut, duke i portretizuar ata si mbrojtësit kryesorë të veriut të Kosovës krahas pranisë së vazhdueshme të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Punimet përfundimtare në urën mbi Ibër janë projekte rutinë të infrastrukturës, jo përgatitje për një sulm apo përshkallëzim të konfliktit, siç thotë Vulin. Ky dezinformim kontribuon më tej në përhapjen e informacionit të rremë dhe nxitjen e tensioneve në rajon.
Kritika e Vulin se vendet e QUINT-it “vetëm kërcënojnë por nuk bëjnë asgjë” është një tjetër dezinformim. Në realitet, këto vende përdorin masa diplomatike si hapin e parë në parandalimin e konfliktit dhe trazirave./The Geopost/