Serbia do të marrë pjesë në samitin e BRICS – një organizatë e themeluar nga Rusia që synon të jetë rival i Bashkimit Evropian.
Në këtë samit Serbia do të dërgojë zëvendëskryeministrin Aleksandar Vulin, i cili mban lidhjet me Rusinë, do të arrijë në Kazan të Rusisë për të marrë pjesë në samitin e BRICS, tha ndihmësi i presidentit rus, Yuri Ushakov.
Gjithashtu në këtë samit do të marrin pjesë edhe ministrat serbë Bratislav Gasiq, Adrijana Mesaroviq dhe Nenad Popoviq.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se konfirmimin për pjesëmarrje deshi t’ia bëjë vetë presidentit të Rusisë Vladimir Putin.
“Kam folur me Putinin dhe kjo është arsyeja e vetme pse nuk doja të bëja një njoftim derisa t’i tregoja personit nga i cili mora thirrjen – presidentin Putin. Është shprehje e përgjegjësisë. Ne patëm një bisedë kuptimplotë. Biseduam për festën e çlirimit të Beogradit, si dhe për marrëveshjen e gazit dhe pres që të fillojmë të flasim për një marrëveshje afatgjatë”, tha Vuçiq.
Vuçiq i ishte arsyetuar në telefon Putinit se ai vetë nuk mundi të shkonte për shkak të “planifikimeve të mëhershme”. Këtë e kishte bërë të ditur ndihmësi i Putinit.
“Dje dy presidentët kanë folur në telefon. U ra dakord që në emër të Serbisë të marrë pjesë zëvendëskryeministri i Serbisë, i cili merret drejtpërdrejt me marrëdhëniet dypalëshe ruso-serbe dhe çështjet e BRICS. Presidenti i Serbisë këto ditë paraprakisht ka planifikuar kontakte të tjera ndërkombëtare, të cilat vështirë se mund t’i shtyjë”, tha Ushakov në konferencë.
Vuçiq në Pragë duke tentuar të minimizojë komunikimet e tij me Putinin kishte thënë se nuk e kishte takuar dhe se nuk kishte folur me Putinin që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Por këtë herë ai është mburrur se ai mund të flasë me Putinin.
“Unë jam një nga liderët e paktë në botë që më lejohet të flas me presidentin Putin”, tha Vuçiq pas bisedës me të.
Vulin kishte thënë se Serbia e sheh anëtarësimin në BRICS si një alternativë reale për anëtarësimin ndaj Bashkimit Evropian.
Rusia mori presidencën njëvjeçare të BRICS më 1 janar 2024. Presidenca e Rusisë kishte më shumë se 250 ngjarje të ndryshme, me një samit të BRICS në Kazan më 22-24 tetor 2024 që është ai qendror. /TheGeopost/