Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka dezinformuar se “është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që po i shkel marrëveshjet e Brukselit” dhe shtoi se “nuk do ta formojë kurrë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”. Këto deklarata dezinformuese Petkoviq i bëri gjatë një takimi që ka zhvilluar me të dërguarin special të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Trokaz.
Çfarë tha Petkoviq?
“Sot u takova me të dërguarin special të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Trokaz, të cilin e informova në detaje për të gjitha lëvizjet përshkallëzuese të Prishtinës dhe Albin Kurtit, si dhe për shkatërrimin sistematik të dialogut dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel dëshmohet nga deklarata e fundit e Kurtit se ai kurrë nuk do të formojë Asociacionin. Beogradi është i përkushtuar ndaj dialogut dhe vepron si forcë konstruktive. Nuk është e mundur të normalizohen marrëdhëniet kur pala tjetër në dialog i shkel të gjitha marrëveshjet”.
Analiza:
Petkoviq ka dezinformuar se kryeministri i Kosovës është ai që po i shkel marrëveshjet e dala nga Brukseli me deklaratën e fundit. Kurti së fundi ka deklaruar se marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi për zbatimin e saj duhet ta kenë pikënisje tërësinë, e jo vetëm pjesë të saj, ndërsa për Asociacionin Kurti nuk ka thënë se nuk duhet të formohet, por se ai duhet të iniciohet nga komunat dhe sipas Kushtetutës së Kosovës.
Prandaj Petkoviq është munduar që përmes dezinformimit t’ia ndryshojë deklaratat e Kurtit të dërguarit të Francës.
Gjithashtu, Petkoviq dezinformon kur thotë se Kosova po shkel të gjitha marrëveshjet në dialog kur është Serbia ajo që shkel vazhdimisht, sidomos në arenën ndërkombëtare ku lobon kundër pavarësisë së Kosovës, ndërsa në marrëveshje ekziston neni ku thotë se as Kosova dhe as Serbia nuk duhet ta pengojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare./The Geopost/