Shumë njerëz në planetin tonë besojnë me të drejtë se përveç Tokës, në Univers gjenden me mijëra, në mos miliona planetë të banuar nga qënie të gjalla, që arsyetojnë, lëvizin dhe shumohen. Dhe një ide e tillë është e thjeshtë për tu besuar. Ndër miliarda e miliarda yje dhe galaksi që ekzistojnë në këtë Gjithësi nuk ka asnjë arsye që Toka të jetë i vetmi planet i banuar nga qënie të gjalla!
Kjo bindje nuk gjallon vetëm te njerëzit e zakonshëm, por edhe në botën shkencore dhe atë politike. Prandaj edhe disa vende, si psh SHBA-të, Kina dhe vende të tjera kanë ngritur edhe qëndra studimore dhe vëzhgimi rreth alienëve, siç quhen ndryshe jashtëtokësorët. Një nga këto qëndra është psh Instituti SETI, (The Search for Extraterrestrial Intelligence).
Por ka edhe disa persona që këtë ide e çojnë edhe më larg. Sipas tyre, jo vetëm që jashtëtokësorët ekzistojnë, por ata kanë vizituar në të shkuarën edhe planetin tonë ! Këtu lëmshi ngatërrohet paksa. Ku janë provat që e provojnë diçka të tillë ?!
Pikërisht këto prova ka vite që po i kërkon Avi Loeb, me emrin e zgjatur Abraham Loeb. Dhe ky i fundit nuk është ndonjë i goditur në tru apo humbamemo. Jo. Ai është professor universiteti. Dhe jo të ndonjë universiteti dokudo, por i Harvardit! Po të lexosh CV-në e tij mbetesh me gojë hapur. Te Wikipedia psh shkruhet se se Avi Loeb, lindur më 1962, është një qytetar amerikano – izraelit i specializuar në fizikën teorike.
Ai punon në fushat e astrofizikës dhe kozmologjisë. Përveç professor i astronomisë, ai është po ashtu drejtor i Institutit të Teorisë dhe Llogaritjeve pranë universitetit të Harvardit si dhe anëtar i Akademisë Amerikane të Shkencave dhe Arteve që nga viti 2012. Pra kemi të bëjmë me një “peshë të rëndë” në fushën e astrologjisë. Diplomat e studimeve të tij pasuniversitare mund të mbushin një sirtar komodine. Dhe ky person, ky dijetar, ky shkencëtar, është i bindur se planeti ynë është vizituar mijëra vjet më parë nga banorë të ardhur nga kozmosi!
“Vizitorë nga Kozmosi” – a ju kujtohet? Ishte një film ky i shfaqur në kinematë e Tiranës andej nga fundi i viteve 1970. Së bashku me filmin tjetër “Fitore mbi Dalekët”. Këta ishin ndofta të vetmit filma fantastiko – shkencorë të shfaqur në kohën e sistemit socialist.
Po le të kthehemi te tema jonë mbi ekstraterrestrët. Teoria rreth ekzistencës së tyre mbahet në këmbë edhe falë disa fakteve ende të paspjeguara nga shkenca. Kështu psh në vitin 2019 e përditshmja e njohur amerikane « Nju Jork Times » bëri të ditur se qeveria amerikane kishte në dispozicion të saj foto dhe filmime të objekteve që përshkonin qiellin me shpejtësi të paparë. Po ashtu ata bënin kthesa dhe lëvizje që i shmangeshin ligjeve tona të fizikës të njohura deri më sot. Gazeta publikoi, me këtë rast, edhe dëshmitë e shumë pilotëve të linjave apo ushtarakë, që dëshmonin për objekte fluturuese që u kishin qëndruar në krah për disa sekonda dhe pastaj ishin zhdukur me shpejtësi të paparë nga radarët.
Që kjo çështje është marrë seriozisht deri në sferat më të larta, këtë e dëshmon edhe organizimi i një seance plenare të posaçme në Kongresin amerikan më 25 qershor 2021. U sollën, me këtë rast, mbi 120 prova, të këtyre objekteve misterioze. Por rezultati ndaj këtyre dëshmive, disa prej të cilave, mbaheshin nën siglën “tepër sekret”, ishte i prerë dhe i qartë: “Megjithëse disa nga këto dukuri nuk mund të spjegohen, kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë me jashtëtokësorë”.
Por as ky përfundim i zyrtarëve të lartë të Kongresit Amerikan nuk mjaftoi të mbyllte “gojët e liga”! Disa fakte, siç thamë, i mbajnë ende gjallë këto teori komplotiste, siç është psh misteri i bazës ajrore ushtarake amerikane, e njohur si baza nr 51 në Nevada dhe “aksidenti” në Roswell!
Bëhet fjalë për një bazë sekrete ushtarake amerikane që është ngritur në shkretëtirën e Nevadës në një sipërfaqe prej mbi 12 000 kilometra katrorë. Dhe pavarësisht sipërfaqes së saj të stërmadhe ajo nuk gjenet në asnjë hartë zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Afrimi pranë saj, qoftë edhe marrja e fotove, të rrezikon kokën. Edhe avionët e kanë të ndaluar të fluturojnë mbi këtë zonë. Baza 51 njihet si një nga qëndrat më sekrete të Amerikës, ku projektohen, eksperimentohen dhe prodhohen armë nga më të sofistikuarat e kohës. Përveç tyre ka zëra që pohojnë se në atë zonë gjenden edhe mbeturinat e diskut fluturues dhe trupat e ekstraterrestërve të rrëzuar në fshatin Roswell më 8 korrik 1947!
Atë ditë, William Brazel, pronari i një ranch-i, zbuloi disa mbetje metalike të shpërndara në afro 1 kilometër gjatësi. I intriguar nga pamja dhe e veçanta e këtyre pjesëve metalike, që nuk i kishte ndeshur kurrë më parë, ai ia tregoi këto materiale një komshiu të tij që banonte disa kilometra më larg. Të dy kontaktuan më pas sherifin e zonës, i cili nga ana e tij njoftoi zyrtarët e një baze ushtarake.
Togeri Walter Haut, i sapombrritur në vendngjarje, u nisi eprorëve të tij një telegram ku thuhej se ata sapo kanë zbuluar mbeturinat e një disku fluturues (flying disc)! Menjëherë në vendngjarje u dërgua një avion i cili mblodhi të gjitha mbetjet e objektit të rrëzuar. Dhe kur lajmi mori dhenë, zyrtarët amerikanë organizuan shpejt e shpejt një konferencë shtypi gjatë së cilës kumtuan se mbeturinat e gjetura i takonin një aerostati i përdorur për parashikimin e motit.
Por “e keqja” ishte bërë. Gjithë « bota » e mori vesh se në Roswell kishte rënë një UFO me 6 deri 8 ekstraterrestrë të vdekur! Gjëra të cilat, qeveria, (vetëkuptohet) i mban të fshehura nga populli!
Gjithçka do të kishte mbetur me kaq, sikur më 1978-ën, koloneli në pension Jesse Marcel, i cili kishte qënë i pari që kishte mbledhur dhe transportuar në avion mbetjet e atij objekti ajror, të mos kishte deklaruar se pjesët që ai mblodhi e kishin prejardhjen me siguri nga ndonjë planet tjetër. Dhe mbi të gjitha që pjesët e treguara gjatë konferencës së shtypit, si mbetje të një balone meteorollogjike, nuk ishin ato që ai kishte mbledhur! Ai pohonte me bindje se qeveria i kishte fshehur me qëllim provat e zbulimit të mbetjeve të një anijeje kozmike!
Edhe astronauti i njohur Edgar Mitchell ka pohuar se incidenti Roswell ka ngjarë me të vërtetë dhe se ai i ka parë me sytë e tij dosjet që bënin fjalë për trupat e disa jashtëtokësorëve të zbuluara në atë kohë!
Amatorët e ekstraterrëstërve kaluan përsëri në ekstazë këto ditë kur mësuan se pranë fshatit Roros në Norvegji sapo kanë nisur kërkimet për gjetjen e një objekti fluturues të rënë në liqenin e ngrirë të atij fshati rreth 77 vjet më parë. Legjenda, e përcjellur brez pas brezi, flet për një lloj rakete, e cila rrotullohej rreth vetes dhe ra me një zhurmë të madhe mbi liqen në vitin 1947. Edhe imazhet e sapomarra nga sonarët, pohojnë se thellë në liqen gjendet me të vërtetë një objekt me gjatësi 14 metra dhe gjërësi 3 metra.
Por pavarësisht se çfarë shpresojnë amatorët e UFO-ve, me siguri që këtu kemi të bëjmë me ndonjë avion të rrëzuar apo ndonjë tip rakete V2, si ato që Hitleri përdori psh për të bombarduar Londrën. Sidoqoftë misteri do të zbulohet kur objektin ta nxjerrin në sipërfaqe.
Po ndryshe kush më shumë se një president do të dinte dhe do të tregonte mbi misterin e objekteve fluturuese jo të identifikuara, UFO-ve, sesa ish presidenti amerikan Barack Obama? Dhe ja si është shprehur ai kur e kanë pyetur gjatë një “Late show”, majin e vitit të kaluar, rreth ekzistencës apo jo të alienëve dhe “aksidentit” në Roswell: “ Ajo që është e vërtetë, dhe jam serioz kur e pohoj këtë gjë, është se ekzistojnë imazhe dhe regjistrime të objekteve në qiell të cilave ne nuk ua njohim origjinën”!
Po le të kthehemi me këmbët në tokë te personazhi ynë, Avi Loeb, dhe kërkimi prej tij i provave që alienët e kanë vizituar planetin tonë mijëra vjet më parë.
“Siç ka pohuar edhe Koperniku disa shekuj më parë, planeti ynë nuk është qëndra jo vetëm e Gjithësisë, por as e Galaksisë sonë. Toka dhe sistemi ynë Diellor gjendet në një cep pa asnjë rëndësi të Gjithësisë. Pra duhet të heqim dorë nga ideja se jemi diçka e rrallë dhe e veçantë apo edhe qëndra e Universit”.
Ndryshe sistemi ynë diellor është shumë i ri, relativisht. Ai ka vetëm « pak » miliarda vjet që është krijuar, saktësisht 4.55 miliardë. Ndërkohë që Gjithësia është krijuar para 13.8 miliardë vitesh. Pra ka shumë gjasa që jeta të jetë zhvilluar në planetet të tjera qindra mijëra vjet para jetës në planetin tonë. Dhe se atje mund të gjenden civilizime shumë më të përparuara teknologjike se në Tokë ».
Stephen Hauking ka pasur shumë të drejtë kur është shprehur se Njerëzimi bëri një gabim fatal kur zbuloi « adresën » e tij në Univers, kur dërgoi në hapësirë sondën « Voyager ». Në ballë të kësaj sonde u vu një pllakë floriri ku u gdhend pamja e një mashkulli dhe një femre, skica e sistemit tonë diellor dhe disa formula matematikore, që çdo qënie inteligjente mund t’i kuptojë. Por ndofta këto qënie mund të sillen me ne, ashtu si ne sillemi me një grumbull milingonash anës trotuarit » – tërhoqi asokohe vëmendjen fizikanti britanik.
Dhe Avi Loeb shprehet optimist se qëndra e tij shkencore « Galileo » së shpejti mund të zbulojë fakte të një pranie të hershme të jashtëtokësorëve në planetin tonë. A ju kujtohet Oumuamua ? – pyet ai. Objekti që kaloi pranë Tokës në tetor të vitit 2017. Ky objekt pra, që në gjuhën havaiane do të thotë « kasnec » ose « lajmëtar” kishte disa veçori që nuk i ndeshim në natyrën inerte. Sasia e dritës që ai reflektonte ndryshonte sipas koefiçientit 10. Forma e tij e sheshtë dhe rrotullimi rreth vetes për rreth 8 orë, – ishin shumë të çuditshme.
Njëlloj si fakti që ai në mënyrë të pazakontë dhe ndryshe nga meteorët dhe asteroidët që i afrohen sistemit tonë diellor, ai përkundrazi i largohej Diellit, sikur një forcë e brendshme misterioze e shtynte larg tij.Dhe lëvizja e tij nuk shkaktohej dhe nuk linte prapa vetes shtëllunga gazi, siç ngjan me kometat. Natyra nuk mund të krijojë objekte të tilla » – vëren Loeb. Ai flet edhe për disa lloje zarash të zbuluara në oqean me përbërje kimike dhe metalore shumë të ndryshme se ato që gjenden në Tokë.
«Janë të gjitha gjasat që jashtëtokësorët të ekzistojnë. Ndofta me mijëra vite drite larg nesh. Por falë edhe teknologjive që ne ende nuk i njohim ata mund të kenë vizituar dikur edhe planetin tonë. Duhet veçse të kërkojmë dhe ashtu si dikur zbuluam Pompein dhe qytete të tjera të mbuluara nga hiri, të mund të zbulojmë edhe fakte rreth pranisë së dikurshme të jashtëtokësorve në planetin tonë »,- shprehet me bindje astrofizikanti i njohur.
Shumica e shkencëtarëve sot janë skeptikë pêrsa i takon tezave të profesorit amerikano – izraelit, por megjithatë një pjesë e madhe prej tyre kanë bindjen, se më së shumti, brenda 20 vjetëve të ardhshëm, shkenca do të zbulojë planete ku jeta, qoftë edhe në formë primitike, gjallon.
Përgatitur nga Viron Gjymshana