Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ish-kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, kanë dalë me mesazhe të koordinuara për siç thanë ata, “unitetin dhe qëndrueshmërinë e Serbisë” përballë, siç thanë ata, “përpjekjeve për destabilizim të brendshëm dhe të jashtëm”.
Në një deklaratë drejtuar qytetarëve, Vuçiq theksoi se Serbia po përballet me sfida serioze, porse pretendoi se “mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj paqësore dhe zhvillimit të qëndrueshëm”.
“Asgjë nuk do të na devijojë nga rruga jonë. Serbia po ndërtohet çdo ditë me përkushtim dhe besim”, tha ai.
Ndërkohë, nga forumi i SNS-së në Vrtogoš, Vuçeviq deklaroi se “revolucioni me ngjyra ka mbaruar” dhe se përpjekjet për përmbysjen e institucioneve kanë dështuar. “E shpëtuam Serbinë. Ata që bënë thirrje për destabilizim nuk kanë as ide, as vullnet”, u shpreh Vuçeviq.
Këto deklarata vijnë në një moment tensioni politik të brendshëm në Serbi, ku për muaj të tërë vendi po ballafaqohet me protrsta që po lëkundin regjimin autoritar të Aleksandar Vuçiqit.
/The Geopost