Bashkimi Evropian ka dënuar miratimin e një ligji të stilit rus për “agjentët e huaj” nga Republika Srpska dhe ka akuzuar autoritetet e entitetit serb të Bosnjës për cenim të “rendit kushtetues dhe ligjor të Bosnjës dhe Hercegovinës”, sipas një deklarate dërguar Radios Evropa e Lirë.
Zyra e shtypit e BE-së tha gjithashtu se ligji i miratuar nga Asambleja Kombëtare e njësisë javën e kaluar ishte “në kundërshtim të drejtpërdrejtë me angazhimet e përsëritura të udhëheqjes së entitetit të Republikës Srpska për të ecur përpara në rrugën drejt pranimit të [Bosnje dhe Hercegovinës] në Bashkimin Evropian”.
Milorad Dodik, presidenti pro-rus i Republika Srpska, ka kërkuar prej kohësh legjislacionin për të kufizuar organizatat joqeveritare (OJQ) të financuara nga jashtë, duke e krahasuar këtë përpjekje me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA-së (FARA).
Megjithatë, një analizë e Shërbimit Ballkanik të Radios Evropa e Lirë gjeti ngjashmëri të forta me ligjin më kufizues të Rusisë të vitit 2012 për “agjentët e huaj”, një ligj që ka frymëzuar gjithashtu imituesit në vendin besnik të Moskës në Azinë Qendrore, Kirgistan.
Miratimi i ligjit të diskutueshëm u përshpejtua me sa duket nga dënimi i Dodik nga Gjykata Shtetërore e Bosnjës javën e kaluar për dështimin në zbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.
Vendimi i gjykatës, kundër të cilit Dodik mund të apelojë, e dënon me një vit burg dhe e ndalon nga jeta politike për gjashtë vjet.
Asambleja e Republika Srpska u përgjigj më 28 shkurt duke miratuar ligje që përjashtojnë organet shtetërore të zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore nga njësia, duke e përkeqësuar më tej krizën politike në Bosnje.
Në të njëjtën ditë u miratua ligji për punën e organizatave joqeveritare me financim të huaj.
Sistemi qeveritar në Bosnje dhe Hercegovinë është një nga më komplekset në botë.
Që nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit e nënshkruar në 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Srpska e dominuar nga serbët etnikë nën një qeveri të dobët qendrore.
Ndërsa Republika Srpska mund të miratojë ligje për punët e brendshme, ligjet dhe institucionet në nivel shtetëror mbeten supreme sipas Kushtetutës.
Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), të cilën Schmidt e mban që nga viti 2021, mbikëqyr zbatimin e aspekteve civile të Dejtonit.
Dodik aktualisht është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar për veprime që qeveritë perëndimore besojnë se synojnë shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnja.
Ai ka mohuar që entiteti serb i Bosnjës të ketë ndjekur ndonjëherë një politikë secesioniste, ndërkohë që kërkon në të njëjtën kohë legjislacion për të rifituar pushtetin për Republikën Srpska në kurriz të shtetit boshnjak.
Deputetët e opozitës në Republika Srpska bojkotuan votimin për ligjin për “agjentët e huaj”, i cili u miratua me mbështetjen e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur të Dodik.
Ligji quhet zyrtarisht “Ligji për Regjistrin e Veçantë dhe Transparencën Publike të Punës së Organizatave Jofitimprurëse” që financohen ose mbështeten nga jashtë.
Përveç krijimit të një regjistri për organizata të tilla, ligji lejon monitorimin e tyre nga autoritetet, përgjithësisht ndalon aktivitetet politike, kërkon regjistrim shtesë dhe kërkon paraqitjen e raporteve në Ministrinë e Drejtësisë së Republikës Srpska për marrjen e fondeve nga jashtë.
Ai parashikon që në rast të shkeljes së ligjit, ministria kompetente mund t’i propozojë gjykatës që organizatës në fjalë t’i ndalohet kryerja e aktiviteteve të saj./Rferl/