“Burra pa gra”, një komedi e hidhur e tejet cinike, e autorit italian Angelo Longoni, është shfaqur mbrëmë (23.11.2023) premierë në sallën e vogël të Universitetit të Artit e do të vijojë të shfaqet përgjatë gjithë kësaj fundjave, nën intepretimin e Valdrin Hasanit e Andi Begollit.
Është historia e dy burrave, e dy artitëve të rinj, me pasione e karaktere krejt të ndryshëm, që ndajnë se bashku të njëjtat vështirësi të jetës.
I shkurtri është muzikant, saksofonist, me prirje të fortë drejt alkoolizmit, i çuditshëm në pamje, ndërsa i gjati, është një shkrimtar aspirant, elegant, i kujdesshëm për shëndetin, sportiv. Por të dy janë në sfidë të vazhdueshme përballë pamundësive për të përmbushur jetët e tyre profesionale e atë sentimentale.
Ata ndiejnë keqardhje për veten e tyre por nuk dorëzohen dhe dijnë ta shijojnë jetën… aq sa e gjithë kjo histori mbyllet me një shpërthim të qeshurash, që dalin nga shpirti.
“Burra pa gra” është një vepër që të bën të qeshësh e të qash, që përcjell mesazhe të forta, kryesisht për artistët që janë në sfidë të vazhdueshme me veten dhe realitetin.
Ata në çdo kohë kanë vështirësitë e tyre për të gjetur vetveten, rrugën e tyre të suksesit, në tregun artistik, i cili bëhet gjithmonë e më I vështirë edhe në qytetërime të mëdha, aq më shumë në qytete e vende të vogla si Shqipëria e Tirana.
Në kohët kur arti po shkon gjithmonë e më shumë drejt tendencave të showbiz-it, artistët që zgjedhin të bëjnë art jo komercial, gjenden përballë sfidash edhe më të vështira: krijojnë por nuk fitojnë dot aq sa për të krijuar një jetë normale. Kjo i zhyt në realitet të padëshiruara, prej të cilave duhet të dalin duke luftuar fort me unin, me shoqërinë e më gjithcka që kanë përreth. Por ama, duke e ruajtur gjithmonë fillin artistik të jetës së tyre.
Kushdo që do ta ndjekë këtë shfaqje, do të gjejë një pjesë të jetës, të së përditshmes së vet aty.
“Burra pa gra”, (projekt i mbështetur nga Bashkia e Tiranës) me regji të Julian Canameti e me dy personazhet simpatikë të intepretuar nga Valdrin Hasani dhe Andi Begollit, do të vijojë të shfaqet në datat 24- 25- 26 nëntor në sallën e vogël të Universitetit të Arteve.