Slogani nacionalist serb “Kur ushtria serbe kthehet në Kosovë” është shfaqur edhe në Budva të Malit të Zi.
Videon e këtij murali e ka publikuar analisti malazez Ljubomir Filipoviq, i cili tha se ka edhe billborde të tjera nacionaliste serbe që po shfaqen në Mal të Zi.
“Një pano e madhe ‘Kur ushtria (serbe) kthehet në Kosovë’ është shfaqur në qytetin tim Budva sot. Pos kësaj, për dy muaj tashmë, ka më tepër se 30 billborde serbe nacionale në gjithë qytetin tonë të vogël. Po thonë se malazezët nuk ekzistojnë si komb i ndarë”, ka shkruar Filipoviq në platformën “X”.
Grafitë të tillë i paraprinë sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Kosovës ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Që nga fundi i korrikut, grafite me mbishkrim të tillë janë shfaqur në Beograd dhe qytete të tjera në Serbi. Një grafit i tillë është parë në gushtë edhe në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës.
Grafiti është krijuar nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, pas një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina më 26 korrik në Beograd.
Mesazhi i grafitit është pjesë e një kënge popullore të kënduar nga mitropoliti Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopi Atanasije.
Në shkurt të këtij viti, aktivistët e organizatës Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut dhe Asociacioni Krokodili, e ngjyrosën me të kuqe këtë grafit në Sheshin Slavija të Beogradit.
Mirëpo, ai është rikrijuar në atë vend, dhe disa vende tjera në Beograd.
Një pankartë me të njëjtin mesazh ishte shpalosur edhe nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, gjatë një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina, më 26 korrik në Beograd.
Pjesë e kësaj ndeshje kishte qenë edhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar këtë veprim në ndeshje si thirrje për dhunë, ndërsa kishte munguar reagimi i Beogradit zyrtar.
/The Geopost