Zyrtarisht jemi në sezonin e Ujorit (20 janar – 18 shkurt) dhe ndryshime të mëdha pritet të vijnë në jetën tënde. Por si fillim, le të flasim pak për Ujorin, sepse e meriton të gjithë vëmendjen.
Njerëzit që s’kanë shumë njohuri për astrologjinë, mendojnë se Ujori, nisur nga emri është një shenjë Uji, por në fakt, është një shenjë Ajri. Si shenjë e njëmbëdhjetë e horoskopit, ajo mbyll ciklin e shenjave të ajrit (Binjakë, Peshore, Ujor) dhe lidhet me koncepte që kanë të bëjnë pikërisht me ajrin. Nga të gjitha shenjat e horoskopit, Ujori është më novatorja, mendjehapur, rebele dhe humanitare. Duke qenë se shpeshherë cilësohet si një shenjë e largët dhe e ftohtë, në fakt, Ujori ka shumë nevojë për vlerësim, mbështetje dhe dashuri.
Pak më sipër thamë se Ujori merret me koncepte që lidhen me ajrin dhe energjia e ajrit ka të bëjë me mendjen intelektuale dhe kureshtare. Në thelb, Ujori është një shenjë e apasionuar pas jetës sociale dhe dinamikave ndërpersonale. Si shenja e fundit e Ajrit, Ujori i çon në nivele më të larta këto koncepte.
Ujori ka si simbol mbartësin e ujit, shëruesin mistik që i jep ujë dhe jetë tokës dhe marrëdhënieve me njerëzit përreth. Ujori mban një vazo, e cila derdh rryma të reja frymëzimi, shërimi dhe shprese. Por, Ujori konceptohet edhe si një qenie e pavarur, e cila eksploron lidhjen e saj me veten dhe natyrën. Kjo shenjë ka si mision dhe dëshirë që të sjellë ndryshime domethënëse e të fuqishme në botë.
Ujori udhëhiqet nga Urani, planeti i risive, teknologjisë dhe surprizave befasuese dhe në fakt, kjo shenjë e pasqyron më së miri ndikimin e planetit. Ujori është mendimtar, por nuk harron mjedisin që e rrethon. Sado që do të ndryshojë botën, sërish nuk e harron shtëpinë, njerëzit e dashur dhe miqtë. Pavarësisht reputacionit se është një shenjë e ftohtë dhe e largët, në fakt, Ujori këtë e ka si mekanizëm mbrojtës për të fshehur zemrën e butë dhe të dhembshur që ka. Provo të dashurohesh nga një Ujor. Është njësoj sikur të dashurohesh nga një artist.
Si ta dallosh një Ujor?
Ujori mund të të duket si një person paksa i shkëputur nga realitet dhe në fakt, s’e ke keq. Ujori i ka zët bisedat pa krye e pa fund, thashethemet dhe nuk gjykon. Kjo shenjë horoskopi është e përqendruar në krijimin e një ndikimi në shkallë më të gjerë dhe thjesht nuk ka kohë për thashethemet.
Ujori, nga ana tjetër, ka qejf komunitetin dhe bashkësinë, sidomos kur mblidhen për kauza të caktuara. Nëse nuk e gjen duke lexuar, apo menduar në botën e vet, me shumë gjasa është duke marrë pjesë në një protestë.
Çdo Ujor ka një zemër rebele. Kjo shenjë Ajri dyshon në çdo autoritet dhe e lë pas gjithçka që përfaqëson të vjetrën. Me një shpirt të lirë dhe sjellje shpesh të çuditshme, Ujori është i dallueshëm me kilometra larg. Është një shenjë që vishet bukur, sipas stilit të vet, ka një qëndrim unik dhe hobi të pazakonta.
Dobësitë e Ujorit
Ujori është një shenjë shumë kokëfortë! Nëse merr një vendim, nuk ka më kthim pas, sado i dhimbshëm të jetë mendimi. Ujori është një shenjë e përkushtuar ndaj sistemeve dhe qasjeve të reja, por kokëfortësia i hap telashe. Kjo konsiderohet edhe si thembra e Akilit për Ujorin, pasi kjo kryeneçësi buron nga bindja se Ujori ka të drejtë pothuajse gjithmonë. Megjithatë, rri në pritje, Ujori mund ta harrojë fare vendimin dhe të merret me diçka krejt të re.
Çfarë shmang Ujori?
Ujori shmang njerëzit që i ngjiten dhe nuk i japin hapësirën dhe kohën për të refklektuar, ndenjur vetëm, pasur ide të reja dhe planifikuar gjërat me rëndësi. Për Ujorin, liria është diçka me të cilën nuk bën dot kompromis. Kjo shenjë e sheh çdo gjë si një sfidë që do t’i kufizojë lirinë.
Për të fituar besimin dhe zemrën e një Ujori mos u përpiq të logjikosh sjelljet e çuditshme që bën. Ujori lulëzon në habitatin e vet.
Sa i përket shenjave që duhet të shmangë, Ujori s’e ka punën mirë me Demin dhe Akrepin, pasi ato janë zakonisht shenja që nuk i ndryshojnë idetë dhe ecin “me manual”. Ujori do një marrëdhënie më të lirë, të thellë dhe të mbushur me art dhe biseda interesante, spontane. Megjithatë, nëse Ujori do, mund të krijojë një lidhje me çdo shenjë të horoskopit, pasi e di se kompromisi është një element shumë i rëndësishëm.
Përshtatja me Ujorin
Ujori vdes për autonominë e Dashit, Luanit dhe Shigjetarit, si dhe për intelektualitetin dhe prirjen për të mësuar të Binjakëve dhe Peshores. Megjithatë, sërish, Ujori nuk ka një shenjë fikse që i përshtatet 100%. Ujori lë kokën për të ngjashmit e vet – për njerëz revolucionarë, të gjallë, të shkathët, të apasaionuar pas diçkaje dhe ç’është më e rëndësishmja, për ata që duan ta bëjnë botën më të mirë.
Ujorin e thërret gjithnjë një kauzë e re, një ide brilante, një dëshirë për të ndryshuar mjedisin dhe planetin. Gjithçka ti mund të bësh, është ta kundrosh dhe ta duartrokasësh.