Më 24 shkurt të vitit 2022 bota shënoi fillimin e një agresioni që do të merrte mijëra jetë njerëzish dhe do të rrafshonte përtokë qytete të tëra. Të gjithë ishim dëshmitarë se si Rusia pushtoi vendin e saj fqinj, Ukrainën, një vend që bën pjesë në Evropë dhe me territor është i dyti më i madh në kontinentin tonë. Me afër 40 milionë banorë, Ukraina dukej një kafshatë e lehtë për Rusinë me mbi 140 milionë banorë, e cila njëkohësisht llogaritej si një ndër fuqitë më të mëdha ushtarake në botë. Ky agresion ndezi alarmin për sigurinë e Evropës dhe për rrezikun që sjell ndikimi i Kremlinit dhe varësia nga energjia ruse. Paralajmërimet për pasojat e ndikimit rus, para fillimit të agresionit, më shumë tingëllonin si teori konspirative sesa si një rrezik real. Por, pas 24 shkurtit bota ndryshoi tërësisht. Ndarja midis Perëndimit demokratik dhe Lindjes autokratike-diktatoriale u thellua, kanalet e komunikimit u reduktuan, përgatitja për luftë është në nivelin më të lartë kurse lufta e tretë botërore është më afër se kurrë. Kjo ndarje nuk ka të bëjë me gjeografinë, por me sistemin e vlerave që një vend përfaqëson. Japonia, për shembull, gjeografikisht është vendi më në lindje, por për nga vlerat është pjesë e Perëndimit.
UDHËKRYQI HISTORIK
Në këtë udhëkryq të rrezikshëm, midis Lindjes dhe Perëndimit, u gjet Ukraina e cila deri në dhjetor të vitit 1991 ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, një federatë e dominuar nga Rusia. Kolapsi i kësaj federate dhe të tjerave të krijuara sipas modelit komunist (jugosllave, çekosllovake) solli pavarësinë e Ukrainës. Tre vite pasi populli ukrainas u deklarua për shtet sovran dhe demokratik, pra në dhjetor të vitit 1994, Ukraina nënshkroi Memorandumin e Budapestit mbi Garancitë e Sigurisë me SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe Rusinë, me të cilën ky shtet i ri u obligua të heqë dorë nga të gjitha armët bërthamore të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik, duke u bërë kështu fuqi jo-bërthamore. Para kësaj, Ukraina ishte shtet i tretë në botë sa i përket posedimit të arsenalit bërthamor. Nënshkruesit e këtij Memorandumi u angazhuan të respektojnë sovranitetin e Ukrainës dhe të drejtën e saj për vetëvendosje.
Përplasja e parë midis forcave pro-perëndimore dhe pro-ruse ndodhi në vitin 2004, kur në zgjedhjet presidenciale konkurruan Viktor Jushçenkos, i orientuar nga Perëndimi, dhe Viktor Janukoviç, i mbështetur nga Rusia. Edhe pse u helmua në mënyrë misterioze përpara zgjedhjeve, Jushçenko u shërua dhe fitoi zgjedhjet. Për të mbrojtur këtë kurs pro-perëndimor ukrainasit realizuan të ashtuquajturin “Revolucioni Portokalli”, e cila ishte ngjyrë e fushatës së Jushçenkos. Katër vite më pas, në Samitin e NATO-s nuk Ukrainës nuk iu ofrua Plani i Veprimit të Anëtarësimit (MAP), si hap i parë drejt anëtarësimit në Aleancë. Kjo erdhi si rezultat i kundërshtimit të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili në një takim me homologun e tij të atëhershëm George W.Bush, kishte thënë se “Ukraina nuk është komb i vërtetë”, duke aluduar se banorët e këtij shteti kanë origjinë etnike ruse. Në vitin 2010 zgjedhjet presidenciale në Ukrainë i fiton Janukoviç, pra figura kyçe e Rusisë, i cili në vitin 2013 orientoi vendin drejt afërsisë me Moskën. Ky drejtim i shtetit nxiti protesta të serishme në Ukrainë, ndërkohë që braktisja e procesit të integrimit në BE dhe arrestimi i opozitares Julia Timoshenko ishin sinjale për instalimin e një diktature të re të tipit sovjetik. Protestat përfshinë të gjithë vendin, kurse qendra e tyre ishte sheshi Maidan në Kiev. Gjatë këtij revolucioni u vranë rreth 130 civilë, ndërkohë që Janukoviç detyrohet të lëshojë vendin dhe të ikë në Rusi. Një vit më pas, Rusia anekson Krimenë, një gadishull të Ukrainës i banuar kryesisht me rusë etnikë. Më pas, fut ushtarë pa emblema që pushtojnë rajonet Donetsk dhe Luhansk. Me këtë fillon edhe agresioni ndaj Ukrainës, i cili shkakton zemërim ndërkombëtar dhe dënohet edhe nga OKB.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019, ish-komediani Volodimir Zelenski ngadhënjeu përballë Petro Poroshenko, një politikan pro-evropian që kishte mbajtur pozitën që nga rënia e Janukoviçit. Zelenski, partia e të cilit i fitoi edhe zgjedhjet parlamentare, erdhi në pushtet me dy premtime kryesore: përfundimin e luftës me mposhtjen e separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore dhe çrrënjosjen e korrupsionit në qeverinë ukrainase. Në fillim të vitit 2021, Zelenski mori një fushatë kundër oligarkëve ukrainas që mbështesnin forcat pro-ruse, të cilët njëkohësisht ishin edhe miq të Putinit. Kjo nxiti Putinin që shtojë praninë e ushtrisë pranë kufirit ukrainas, ndërsa publikon një artikull ku e përsërit tezën e mohimit të popullit ukrainas, të cilën e kishte thënë në vitin 2008. Putin u dërgon një listë me kërkesa Perëndimit, ku kryesorja është që Ukraina kurrë të mos pranohet në NATO. SHBA, BE dhe Mbretëria e Bashkuar nuk e kanë pranuar këtë kërkesë, duke njohur të drejtën e Ukrainës që vetë të përcaktojë orientimin e vet gjeostrategjik. Kjo nxit Putinin që më 21 shkurt të vitit 2022 të njohë territoret lindore ukrainase Donetsk dhe Luhansk si shtete të pavarura që më pastaj të dërgojë ushtarë me pretekstin se “do ta ruajnë paqen”. Tre ditë pas këtij vendimi Rusia nisi agresionin ushtarak mbi tërë Ukrainën, por që hasi në rezistencë të fortë nga ushtria vendase. Fuqia shkatërruese e luftës që u zhvillua gjatë vitit 2022 tmerroi tërë botën.
LUFTA ENDE PA EPILOG
Me të njëjtën fuqi përplasja vazhdoi edhe gjatë vitit 2023. Vendet e Ballkanit Perëndimor u rreshtuan pas Perëndimit, me përjashtim të Serbisë e cila vazhdoi të mbajë raporte edhe me Rusinë. Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut tashmë kanë harmonizuar qind për qind me BE-në sanksionet e vendosura ndaj Rusisë. Zbatimi i sanksioneve, megjithatë, jo gjithmonë është i përpiktë.
Vendet anëtare të BE-së, SHBA-ja, MB-ja, Australia dhe Japonia kanë vazhduar të mbështesin Ukrainën financiarisht dhe ushtarakisht. Mbrojtja e sovranitetit të Ukrainës tashmë është kuptuar si mbrojtje e rendit botëror të bazuar në rregulla, i instaluar pas Luftës së Dytë Botërore me qëllim të rivendosjes së paqes. Një ndër parimet pazë të këtij rendi është respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve, pa marrë parasysh madhësinë e tyre apo kapacitetin ushtarak që posedojnë. Rrezikimi i këtij rendi nga Rusia është kuptuar si tentim për rikthimin e luftës në nivel global.
Më poshtë Ju sjellim ngjarjet kryesore gjatë muajve të vitit 2023:
Janar 2023: Lufta po i afrohej muajit të 12-të të fillimit të saj. SHBA-të dhe Gjermania njoftuan se do të dërgonin tanke të avancuara luftarake për të ndihmuar Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër forcave ruse. Kjo ishte përpjekja e parë e koordinuar nga Perëndimi për të ofruar armë të rënda për Ukrainën. Ishte një hap i madh për Gjermaninë në veçanti, pasi vendi ka ecur me kujdes si aleat i Ukrainës që nga fillimi i luftës.
Shkurt 2023: Biden udhëtoi në Ukrainë. Ai mori një tren nga Polonia dhe kaloi orë të tëra në Kiev, duke ecur me Zelenskin teksa u ndezën sirenat e sulmit ajror. Në konferencën e përbashkët, Biden njoftoi 500 milionë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën dhe dha mesazhin optimist: “Një vit më vonë, Kievi qëndron në këmbë. Dhe Ukraina qëndron. Demokracia qëndron.”
Prill 2023: Ballkani vazhdon të jetë cak i propagandës ruse. Qëllimi i Moskës është të arsyetojë agresionin dhe të risë mbështetjen. Mercenarët e parë nga rajoni tash më fillojnë të shfaqen në kuadër të njësitit Wagner. Ukraina, ndërkaq, përgatitet për kundër-ofensivën më të madhe për çlirimin e territoreve në lindje të vendit.
Maj 2023: Beteja për Bakhmutin, më e gjata dhe më e përgjakshme e luftës, përfundoi një vit pasi filloi. Ky qytet nuk ishte aq i rëndësishëm strategjikisht, por shumë i rëndësishëm për simbolikën e fitores së Ukrainës. Pasi ushtria ruse u zmbraps, ushtria private Wagner mori përsipër luftën. Ky grup pretendoi fitoren mbi rrënojat e shkatërruara të Bakhmutit më 21 maj, pasi kishte humbur të paktën 10,000 luftëtarë në gjashtë muaj.
Qershor 2023: Të revoltuar nga mungesa e përkrahjes në luftën e përgjakshme për Bakhmutit, Grupin Wagner filloi të marshojë drejt Moskës në një përpjekje për grusht shteti. Ky zhvillim shkaktoi panik në Rusi si sfida më e madhe ndonjëherë për pushtetin e Putinit. Udhëheqësi i grupit, Jevgenij Prigozhin, lëshoi deklarata duke kritikuar udhëheqjen ushtarake të Rusisë dhe duke u kërkuar anëtarëve të forcave të armatosura të vendit që t’i bashkohen kauzës së tij. Pasi pushtoi selinë e komandës që mbikëqyr luftën në Ukrainë në qytetin jugor rus të Rostov-on-Don, Grupi Wagner ndaloi marshimin e tij drejt Moskës vetëm një ditë pasi filloi lëvizja tronditëse. Prigozhin lëshoi një deklaratë duke thënë se grupi kishte arritur qëllimin e tij për të tërhequr vëmendjen e Kremlinit dhe po kthehej në vijat e frontit. Moska tërhoqi urdhër arrestin kurse Prigozhin u lejua të strehohej në Bjellorusinë fqinje.
Korrik 2023: Departamenti Amerikan i Mbrojtjes njoftoi ndihmë shtesë për mbrojtjen e Ukrainës. Ndërkohë që Ukraina vazhdon të luftojë në frontin lindor, mbështetësit e saj perëndimorë debatojnë për përfundimin e mundshëm të luftës dhe pasojat e saj. Përgjigja ndërkombëtare ndaj pushtimit rus mbetet e papërshtatshme. Paraqiten shumë propozime për mënyrën sesi mund të përfundojë lufta. Midis propozimeve ka edhe prej atyre do të qetësonin Rusinë në dëm të Ukrainës, e që do të rrezikonin Evropën.
Gusht 2023: Forcat speciale ukrainase realizuan një aksion detar gjatë natës në Krime, i pari nga disa sulme të shkurtra në Krimenë e pushtuar nga Rusia. Komandot ukrainas sulmuan një stacion të kontrollit elektronik që kishte mbrojtur Krimenë nga sulmet me dronë dhe raketa dhe vendosën një flamur ukrainas. Mediat amerikane raportojnë se numri i përgjithshëm i trupave ukrainase dhe ruse të vrarë ose të plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë 18 muaj më parë është afër 500.000, një numër ky marramendës. Viktimat ushtarake të Rusisë, sipas mediave, është afër 300.000. Numri përfshin deri në 120.000 vdekje dhe deri në 180.000 trupa të plagosur.
Shtator 2023: Forcat ukrainase ndërmarrin një sulm raketor, me ç’rast goditën 13 nëndetëse ruse dhe dëmtuan rëndë një anije të ankoruar në portin kryesor të flotës ruse të Detit të Zi në Krime. Ushtria e Ukrainës tha se sulmi vrau 34 oficerë të lartë rusë, duke përfshirë komandantin e flotës Adm. Viktor Sokolov. Më pas, Rusia ka zhvendosur pjesën më të madhe të flotës së saj në Rusi, duke i dhënë Ukrainës më shumë liri veprimi në Detin e Zi.
Tetor 2023: Udhëheqësit e BE-së përsëritën dënimin e agresionit të Rusisë dhe theksuan solidaritetin e palëkundur me Ukrainën dhe popullin e saj. Deri më tani, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare i kanë vënë në dispozicion Ukrainës mbi 82 miliardë euro dhe do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm Ukrainën për aq kohë sa duhet.
Nëntor 2023: Komandanti i përgjithshëm ukrainas Gjeneral. Valery Zaluzhni i tha The Economist se pas muajsh luftimesh nuk ka përparime, kështu që Ukraina dhe Rusia “kanë arritur nivelin e ngërçit”, njëjtë si në Luftën e Parë Botërore. Më pas, Zelenski e qortoi Zaluzhnin për deklaratën e dhënë, duke kritikuar se me këtë fatalizëm ai e lehtëson punën e agresorit rus. Ndërkohë, BE ka rritur ndihmën ushtarake të BE-së në Ukrainë për 194 milionë euro, duke shënuar një total prej 255 milionë euro. Qëllimi është ndërtimi i kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Ukrainës nëpërmjet ofrimit të shërbimeve, pajisjeve dhe furnizimeve të nevojshme për trajnimin.
Dhjetor 2023: Këshilli BE miratoi paketën e dymbëdhjetë të masave sanksionuese ndaj Rusisë, e cila synon sektorë me vlerë të lartë të ekonomisë ruse dhe e bëjnë më të vështirë anashkalimin e sanksioneve të BE-së. Paketa përfshin ndalimin e importit, blerjes ose transferimit direkt ose indirekt të diamanteve duke përfshirë bizhuteri nga Rusia; forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh me vendet e treta për të penguar anashkalimin e sanksioneve; kufizimet më të forta të eksportit në lidhje me mallrat dhe teknologjitë me përdorim të dyfishtë; zbatimin e kufirit të çmimit të naftës etj.
VAZHDON NUMËRIMI I VIKTIMAVE
Përderisa afrohet dyvjetori i fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës, luftimet mbeten intensive në frontin lindor dhe jugor të Ukrainës. Një raport i inteligjencës amerikane, i publikuar së fundmi, zbuloi se Rusia ka humbur afërsisht 315.000 që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. Këto janë humbje jashtëzakonisht të larta, pasi paraqesin 87 për qind të rreth 360.000 trupave ruse para fillimit të agresionit në shkurt të vitit 2022. Sipas raportit, Rusia ka pësuar goditje të mëdha në arsenalin e saj ushtarak që nga fillimi i pushtimit, duke humbur afërsisht 2.200 nga 3.500 tanket e saj luftarake dhe një të tretën e automjeteve të saj të blinduara. Humbjet e Rusisë, sipas raportit, janë shumë më të mëdha se numri i trupave që Moska tha për herë të fundit se kishte humbur që nga nëntori 2022, kur Ministria e Mbrojtjes e Rusisë raportoi 5.937 vdekje të trupave.
Pa marrë parasysh humbjet marramendëse, lufta pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2024, për shkak të mungesës së gatishmërisë së Rusisë që të tërhiqet nga territoret e pushtuara të Ukrainës. SHBA-të dhe BE-ja në vitin e ardhshëm do të kalojnë nëpër një proces zgjedhor. Në SHBA do të zgjidhet presidenti i ri, ndërsa në BE – përbërja e re e Parlamentit Evropian (PE), institucion që më pas formëson Komisionin Evropian (KE) dhe organet tjera ekzekutive të Unionit. Rezultatet në këto zgjedhje pritet të kenë ndikim të madh në epilogun e kësaj lufte.
Shkruan: Xhelal Neziri, redaktor dhe bashkëpunëtor i The Geopost nga Maqedonia e Veriut