Eksporti i mallrave nga Serbia në Kirgizi është rritur disa herë pas pushtimit rus të Ukrainës, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Republikës së Serbisë të analizuara nga Radio Evropa e Lirë (REL).
Megjithatë, të dhënat nga Komiteti Statistikor i Kirgizisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) për importin e mallrave serbe në Kirgizi tregojnë se produktet e dërguara në këtë ish-republikë sovjetike nuk arrijnë në destinacionin e tyre zyrtar, por rieksportohen nga Kirgizia në një treg të tretë.
Në mesin e mallrave që eksportohen nga Serbia në Kirgizi, ka edhe ato që janë në listën e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si mallra që mund të keqpërdoren në industrinë ushtarake ruse.
Rritje drastike e eksporteve drejt Kirgizisë
Sipas të dhënave të Institutit Republikan të Statistikave, nga Serbia në Kirgizi në vitin 2022 janë eksportuar mallra në vlerë prej 12.8 milionë dollarësh amerikanë, ndërsa eksportet në vitin 2023 janë rritur gjashtë herë dhe kanë arritur në 81.1 milionë dollarë. Kur analizohen këto të dhëna nga Kirgizia, shihet se shumica e mallrave të eksportuara nga Serbia nuk kanë përfunduar në këtë vend.
Gjatë vitit 2023, kur u regjistruan mbi 80 milionë eksporte nga Serbia në Kirgizi, në shtetin kirgiz hynë mallra me vlerë vetëm afër shtatë milionë euro. Dallime drastike shënon Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sipas një raporti që mbulon një periudhë katërmujore, nga nëntori i vitit 2023 deri në shkurtin e 2024-tës, Serbia ka eksportuar mallra në vlerë prej rreth 30 milionë dollarësh në Kirgizi, ndërsa mallra në vlerë vetëm një milionë dollarë kanë hyrë në tregun kirgiz.
FMN-ja mbledh të dhëna nga institucionet zyrtare shtetërore dhe i përpunon ato në mënyrë statistikore.
Të dhënat e fundit nga Enti i Statistikave i Republikës së Serbisë tregojnë se trendi i rritjes së eksporteve ka vazhduar. Në vetëm katër muaj në vitin 2024, Serbia ka eksportuar mallra me vlerë 54.1 milionë dollarë në Kirgizi, që është katër herë më shumë se gjatë gjithë vitit 2022.
Në shkurt të vitit 2022, Rusia pushtoi Ukrainën fqinje, pas së cilës vendet perëndimore vendosën sanksione të ashpra ekonomike dhe politike ndaj Moskës, të cilat ende janë duke u ashpërsuar edhe sot.
Çfarë eksporton Serbia në Kirgizi?
Edhe pse në mesin e mallrave të eksportuara në Kirgizi ka edhe nga ato që përdoren për përdorim civil, si kartoni dhe fidanët e frutave, Byroja e Statistikave regjistron edhe eksportin e mallrave që janë në listën e “prioritetit të lartë”, pra mallra me qëllime të dyfishta që identifikohen si mallra të përdorura në industrinë ushtarake.
Këto mallra janë në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për eksport në Rusi. Lista e “prioritetit të lartë” kundër Rusisë u prezantua si pjesë e sanksioneve ndërkombëtare pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Masat për të kufizuar eksportin e teknologjive dhe materialeve kritike janë shtrënguar në mënyrë progresive përmes disa paketave sanksionesh.
Siç thuhet në faqen e internetit të Komisionit Evropian, gjegjësisht organit të tij, Drejtoria për Stabilitet Financiar, Shërbime Financiare dhe Unioni i Tregjeve të Kapitalit, kjo listë përfaqëson: “Listën e mallrave të ndaluara me përdorim të dyfishtë dhe artikujve të teknologjisë së avancuar të përdorura në sistemet ushtarake ruse që janë në fushën e betejës në Ukrainë ose kritike për zhvillimin, prodhimin ose përdorimin e atyre sistemeve”.
Në vitin 2022, Serbia ka eksportuar këtë lloj mallrash në Kirgizi në vlerë prej 340.000 dollarësh, ndërsa në vitin 2023, vlera e mallrave të sanksionuara të dërguara në Kirgizi është rritur në mënyrë drastike – është 7.7 milionë dollarë, sipas të dhënave nga Byroja e Statistikave analizuar nga REL-i. Nga mallrat që janë nën sanksione, më të eksportuara kanë qenë kushinetat, pjesët e avionëve, helikopterët, dronët, pajisjet elektrike për qarqet elektrike.
Nuk dihet nëse dhe në çfarë mase këto mallra kanë hyrë në Kirgizi apo janë rieksportuar në një treg tjetër, sepse Komiteti Statistikor i Kirgizisë nuk ka publikuar të dhëna për llojin e mallrave të importuara për dy vjetët e fundit. Komisioni deklaroi se nuk kishte nevojë apo kërkesë për të dhëna të tilla të detajuara.
Sipas të dhënave nga bazat e të dhënave të Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve, pothuajse një e treta e kompanive të regjistruara në Serbi që eksportojnë mallra në Kirgizi janë themeluar pas fillimit të pushtimit, pra pas 22 shkurtit 2022.
Regjistri i Bizneseve tregon se pronarët ndër të tjera janë shtetas të Rusisë, Kubës, Moldavisë, Ukrainës, por edhe nga vendet e Bashkimit Evropian nga Italia, Lituania dhe Sllovenia. Të dhënat e Institutit Republikan të Statistikave tregojnë se cilat mallra janë tregtuar dhe në çfarë vëllimi, por jo saktësisht se cilat kompani të regjistruara në Serbi i kanë eksportuar mallrat e kontestuara, gjegjësisht produktet e mbuluara nga sanksionet e BE-së dhe SHBA-së./REL/