Drejtori i Zyrës për Diplomaci Publike dhe Kulturore në Serbi, Arno Guyon, ka publikuar një paraqitje grafike duke dezinformuar se prona e serbëve në Kosovë është shpronësuar “ilegalisht” për ndërtimin e bazave për njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Gujon tha:
“Nëse je serb, nuk ke të drejtë pronësie në Kosovë. Shikoni sesi regjimi ekstremist shqiptar në Kosovë merr me forcë dhe ilegalisht tokë nga fermerët serbë për të krijuar baza për forcat represive monoetnike në veri të kësaj krahine të Serbisë”, ka shkruar Gujon.
Analiza:
Arno Gujon është i njohur për përdorimin e rolit të tij në Serbi për të promovuar retorikën pro-serbe, shpesh të bazuar në informacione të pasakta. Deklarata e tij për gjoja “shpronësimin e paligjshëm të pronës serbe” në Kosovë është një shembull tjetër se si ai përpiqet t’i portretizojë autoritetet e Kosovës si agresive, të paligjshme dhe armiqësore ndaj komunitetit serb.
Qeveria e Kosovës ka bërë të qartë se shpronësimi i tokës po bëhet në përputhje me ligjin dhe se çdo pronar i tokës ka marrë njoftim, si dhe kompensim të përcaktuar me ligj. Këto masa, siç thuhet nga Qeveria, janë pjesë e një plani më të gjerë për forcimin e infrastrukturës së sigurisë, e cila është vendimtare në luftën kundër grupeve kriminale në veri të vendit.
/The Geopost/