Në vijim të përpjekjeve për formulimin e strategjive të mbrojtjes të klimës dhe ruajtjes së efikasitetit të burimeve ujore të vendit, nën drejtimin dhe organizimin e Njësisë së Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinierive të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (me grupin kërkimor shkencor Toka dhe Mjedisi), kjo njësi dhe sektorë të interesuar për këto problematika, paraqitën (me 72 kumtues nga 22 qendra kërkimore) për diskutim konkluzione të rëndësishme, në konferencën e fundit shkencore të organizuar për këtë qëllim, në aspektin mbarëkombëtar shqiptar, në bashkëpunim me institucione homologë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ndryshimet klimatike janë të shumta dhe, shumë herë, “tekanjoze”; aktualisht, siç duket nga vrojtimet e të dhënat meteorologjike, aktualisht nuk janë më një kërcënim i largët, por një realitet i prekshëm, me ndikime e pasoja të drejtpërdrejta në ekosistemet dhe, rrjedhimisht, në ekonominë dhe jetën e përditshme. Rritja e temperaturave, thatësirat, përmbytjet dhe fenomenet ekstreme atmosferike përkeqësojnë burimet ujore dhe kanë pasoja për zhvillimin e qëndrueshëm, sigurinë ushqimore, energjinë dhe qendrueshmërinë social-ekonomike.
Analizimi i tendencave klimatike në Shqipëri, Kosovë dhe rajon tregoi se ka lindur nevoja e ngutëshme për zhvillimin dhe përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm në nivel nacional. Këtu u theksua nevoja e shtimit të qendrave të regjistrimit të gjithëkohëshëm të të dhënave klimatike (padrejtësisht zvogëluar dhjetvjeçarët e fundit); qendrat ekzistuese vërtetë janë shumë më të mirëpajisura me instrumente moderne, por instrumentet mekanikë që destinohen për vrojtime në vend nga vrojtues njeri, mbeten domosdoshmëri krahas atyre moderne, për të shqyrtuar të dhënat e ngjarjeve klimatike ekstreme; nevoja për këto të dhëna është bërë e domosdoshme për parashikime efektive të mbrojtjes së mjedisit.
Në mënyrë të veçantë përvijime të plota të studimeve të tillë të ndryshimeve klimatike u paraqitën për rajonet e veçanta si Lugina e Vjosës , pellgu i lumit Mat dhe Fusha e Myzeqesë dhe për Kosovën (ku uji vjen kryesisht nga bora; resurset e saj ujore janë të mëdha, por shumë lumenj derdhen jashtë kufijve të saj), Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në evidentimin e ndryshimeve klimatike në Shqipëri dhe Kosovë, duke intensifikuar saktësinë e matjeve e vrojtimeve, ka rritur shkallën dhe saktësinë e informimit, duke u paraqitur si një drejtim i zhvilluar mjaft premtues.
Ndryshimet klimatike në bujqësi paraqesin efekte të rëndësishme dhe të dukëshme mbi zgjatjen e periudhës së vegjetacionit të bimësisë. Shkalla më e lartë e diversitetit biologjik shfaqet më shumë në hapësirat ku toka takohet njëkohësisht me hapësira ujore dhe atmosferën (shumë më të pasura janë lagunat se lartësitë kodrinore e malore!), pra, si rezultat, bota e gjallë aty ndodhet fuqishëm nën ndikimin e eventeve klimatike dhe ndryshimeve që ndodhin.
Specialistë të mjediseve ujore, studjues e kumtues dëshmuan, shkencërisht, se mjaft qënie biologjike (sidomos të ujit) janë indikatorë të mirëfilltë të ndryshimeve klimatike dhe propozuan disa skema të shfrytëzimit të këtyre mundësive në këtë fushë, nisur nga hulumtime të hollësishme, mbështetur në opinione dhe realizime të shkencës së përparuar botërore.
Sidoqë nevojat për ujë janë të mëdha, si në fushën e energjisë (veçanërisht për vendin tonë) ashtu edhe për zhvillimin e botës së gjallë nën ujë e mbi ujë (tokë), çrregullimet dhe e ngjarjet ekstreme në prurjet e shumta e të vrullëshme atmosferike e nëntokësorë të tij, kanë reperkusione të ndjeshme në sigurinë ushqimore. Nuk është vetëm një përmbytje që lidhet drejtpërdrejt me shkatërrimin e produkteve të ushqimit, por u paraqitën të argumentuara shkencërisht, mjaft situata të tjera me lidhje, me faza të ndryshme apo indirekte, si ngrohja e ujrave dhe algat toksike, përqëndrimet jo normale të kimikateve në bimët nga thatësira, ndryshimet e pazakonta në reshjet stinore dhe myqet e ndryshëm etj.
Punimet e paraqitura ishin në vazhdim, lidhje e zhvillim të seancave të tilla konferenciale të mëparëshme të Akademisë në fushën e ndotjeve të ujrave dhe atmosferës në ekosistemet kryesorë, rritja e nivelit të detit, lëvizjet e vijës bregdetare, zhvillimet morfologjike në shtratet e lumenjve, erozioni, rrëshqitjet e dherave dhe rreziqet hidrosizmike. Studjuesit sollën edhe pikëpamje e komente edhe për probleme të rëndësishme në diskutim të shkencës botërore, si ato rreth ndotjes së gazit karbonik në atmosferë me reperkusione në ngrohjen globale. Përmbytjet dhe ndikimet në infrastrukturën rrugore u pasqyruan të lidhura ngushtë, duke shprehur rekomandime të mbështetura shkencërisht për rritjen e sigurisë rrugore.
Për të gjitha arsyet që qëndrojnë mbi problematikat e sipërpërmendura, është e nevojëshme një strategji për ruajtjen dhe shpërndarjen efikase të uji dhe, së bashku me ‘të, duhen respektuar rigorozisht rekomandimet e shkencës që vijnë nga këto punime, lidhur me ndikimin e ndryshimeve klimatike në cilësinë e ujit dhe menaxhimin e integruar i baseneve ujore, impaktin në ujrat nëntokësore, vlerësime mbi akuaferin e disa rajoneve etj.
Viti 2025 shënon një moment kritik për veprimin klimatik, pasi shtetet do të paraqesin kontributet e tyre të përditësuara në zbatim të Marrëveshjes së Parisit. Shkenca dhe kërkimi shkencor janë thelbësore për të formuluar politika efektive dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme. Duke qenë se për vlerësimin e klimës, që është një pasuri kombëtare e rëndësishme duhet të merret në konsideratë mendimi shkencor institucional, prandaj u mbajt në këtë moment kjo konferencë shkencore në lidhje me klimën, ndryshimet klimatike dhe ndërveprimi i saj në ciklin e lëvizjeve dhe shfrytëimit efikas të ujit.
Shqipëria dhe Kosova së bashku të prekura nga ndryshimet klimatike nuk mund të qëndrojnë pasive. Ne kemi një rol të rëndësishëm në integrimin e kërkimit shkencor, politikave mjedisore dhe teknologjive inovative për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.