Në një kohë kur Evropa po përballet me valë të reja të dezinformimit, eksperti italian i monitorimit të propagandës (fact cheking), Simone Fontana, ngrit alarmin mbi agresivitetin në rritje të fushatave ruse, jo vetëm në vendet me institucione të brishta, por edhe në ato me demokraci të konsoliduar. Në një intervistë për The Geopost ai thekson se propaganda ruse është gjithnjë e më e pranishme brenda vetë mediave evropiane, veçanërisht në Itali, duke shfrytëzuar pasiguritë dhe mungesën e qartësisë brenda vetë Bashkimit Evropian.
Sipas Fontanës, sulmet hibride të Moskës nuk synojnë vetëm BE-në për shkak të sanksioneve kundër Rusisë, por edhe opinionin publik që po bëhet gjithnjë e më i ndjeshëm ndaj narrativave manipuluese. Për Ballkanin, ai sugjeron një qasje praktike: rritje të njohurive mediatike dhe edukim të qytetarëve për të lexuar dhe kuptuar kritkisht informacionin — si mbrojtja më e mirë ndaj fushatave të dezinformimit.
Intervista e plotë
The Geopost: A keni vërejtur një rritje të përpjekjeve ruse për dezinformim gjatë muajit të kaluar?
Fontana: Dezinformimi rus është mjaft i njëjtë, është shumë agresiv dhe është shumë i përhapur në çdo vend, veçanërisht në veri të Evropës dhe Evropën Qendrore ku institucionet janë të forta, por debati publik është shumë i dobët në lidhje me situatën Rusi-Ukrainë… Dhe unë jam nga Italia. Unë monitoroj dezinformimin në Itali dhe propaganda ruse për Ukrainën është tema kryesore e diskutimit të dezinformimit tani.
The Geopost: A keni vërejtur një rritje të dezinformimit rus që synon BE-në, veçanërisht pas zbatimit të sanksioneve të reja nga BE kundër Federatës Ruse?
Fontana: Po, ky është një proces që është në vazhdim sepse dezinformimi rus po e shënjestron Bashkimin Evropian, sepse Bashkimi Evropian ka vendosur shumë sanksione për Rusinë, por në muajt e fundit është bërë më agresiv. Dhe kjo do të thotë që Bashkimi Evropian është më i dobët sepse tani për tani në Evropë nuk është shumë e qartë se cili është drejtimi që do të marrë BE-ja. Dhe kjo i jep shumë hapësirë Rusisë dhe propagandës ruse dhe nuk është thjesht i njëjti lloj propagande me dezinformimin, por është brenda medias italiane, medias evropiane, dhe kjo është shumë e rrezikshme.
The Geopost: Çfarë hapash duhet të ndërmarrin vendet e Ballkanit për t’iu kundërvënë në mënyrë efektive fushatave ruse të dezinformimit?
Fontana: Mendoj se ajo që duhet të bëjmë është të mbështetemi në njohuritë mediatike. Sepse është shumë e vështirë të përballesh me propagandën ruse që nga e para, por duhet të veprosh ndaj lexuesve, ndaj përdoruesve, ndaj njerëzve që janë në shënjestër të kësaj propagande. Dhe, njohuritë mediatike ose t’u shpjegosh njerëzve se si t’i lexojnë lajmet, si ta luftojnë dezinformimin vetë, mendoj se është e vetmja mundësi që kemi tani./The Geopost/