Një variant i rrallë i virusit të gripit të derrave është zbuluar te një njeri në Britaninë e Madhe.
Një person i infektuar kishte simptoma të lehta dhe autoritetet tani po investigojnë nëse ai ka infektuar edhe persona të tjerë.
Patogjeni i tipit A(H1N2)v u zbulua në North Yorkshire gjatë një ekzaminimi rutinë nga një mjek i përgjithshëm. Personi kishte vështirësi në frymëmarrje, por tashmë është shëruar.
Ky ishte zbulimi i parë i këtij lloji të gripit te një njeri në Mbretërinë e Bashkuar.
Burimi i infeksionit është ende i paqartë. Hetimet po vazhdojnë për të kuptuar rrugët e transmetimit të virusit. Masat e mbikëqyrjes janë shtuar në pjesë të ndryshme të North Yorkshire.
“Ne po punojmë me shpejtësi për të identifikuar kontaktet e ngushta dhe për të reduktuar transmetimet e mundshme,” tha Meera Chand nga UKHSA.
Patogjeni është disi i ndryshëm nga ai që ka infektuar kohët e fundit njerëz të tjerë. Por është i ngjashëm me viruset te derrat britanikë.
Sipas profesor Paul Hunter nga Universiteti i Anglisë Lindore, patogjeni nuk shkakton ndonjë sëmundje më të rëndë se variantet e tjera të zakonshme të gripit.
Gripi i derrit prek kryesisht derrat, por mund të infektojë edhe njerëzit- zakonisht pas kontaktit me kafshë ose vende të infektuara.
Infeksionet janë shpesh të lehta, por ekziston rreziku i mutacioneve në forma më të rrezikshme. Që nga viti 2005, vetëm 50 raste të variantit H1N2 janë regjistruar te njerëzit në mbarë botën.
Në vitin 2009, një variant i gripit të derrit çoi në një pandemi. Fillimisht shqetësuese, por sëmundjet ishin kryesisht më të lehta se sa druhej.
Sipas OBSH, 18.500 njerëz vdiqën në mbarë botën. Vlerësimet e mëvonshme e rritën numrin e vdekjeve mes 151.000 dhe 575.400.