Situata e tensionuar mes konkurrentëve Blerando dhe Meti në “Big Brother VIP Kosova” ka rezultuar në përjashtimin e këtij të fundit.
Raporti aspak miqësor mes tyre, përgjithësisht i provokuar nga reagimet dhe komentet e Metit, përshkallëzoi në një debat agresiv, pasi Blerando ndau detyrat e shtëpisë i zgjedhur si kapiten.
I pakënaqur me detyrat e caktuara, Meti iu drejtua Blerandos me tone kërcënuese. Falë ndërhyrjes së banorëve të tjerë, konflikti nuk përshkallëzoi në dhunë fizike.
“Vëllai i Madh ka ndjekur me shqetësim të madh provokimet e vazhdueshme të Metit kundrejt Blerandos pas spektaklit të së hënës. Sipas rregullave të lojës, gjuha kërcënuese, cenimi fizik dhe nxitja për dhunë janë rreptësisht të ndaluara,” u lexua në zarf.
“Duke pasur parasysh faktin që përkundër paralajmërimeve edhe përmes zarfit të zi nuk ka pasur reflektim, pas verifikimit të pamjeve nga vendi ku ka ndodhur ngjarja e sotme, Vëllai i Madh ka marrë një vendim. Meti përjashtohet automatikisht nga gara dhe lë shtëpinë në këtë moment.”
Meti Alshiqi njihet si prezantues dhe model dhe ka qenë konkurrent në “Big Brother Albania 5”.