Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se Gaza tani është e “e pabanueshme”
Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar Gazën si “të pabanueshme” tre muaj pas luftës së Izraelit me Hamasin, duke paralajmëruar se po shpaloset një fatkeqësi e shëndetit publik.
Kreu i ndihmave humanitare të OKB-së, Martin Griffiths, tha se 2.3 milionë banorët e Gazës përballen me “kërcënime të përditshme për vetë ekzistencën e tyre”, ndërsa bota vetëm shikon.
Ai tha se dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë ose plagosur, familjet po flenë në ambient të hapur ndërkohë që temperaturat po ulen.
Tërmeti në Japoni: shkon në 100 numri i të vdekurve
Numri i të vdekurve nga tërmeti i fortë në Japoni shkoi në 100 të shtunën. Punonjësit e ekipeve të shpëtimit janë duke u përpjekur të nxjerrin të mbijetuarit e tjerë nga rrënojat.
Nepali ndalon qytetarët të punojnë në Rusi ose Ukrainë pas vdekjeve në ushtri
Qeveria e Nepalit i ka ndaluar qytetarët e saj të udhëtojnë në Rusi ose Ukrainë për t’u punësuar pasi 10 të rinj u vranë dhe dhjetëra të tjerë u raportuan të zhdukur gjatë luftimeve, kryesisht në ushtrinë ruse.
Më shumë se 200 ushtarë nga Nepali besohet se kanë regjistruar në ushtrinë ruse dhe më shumë se 100 prej tyre kanë humbur. Një numër më i vogël besohet të jetë duke luftuar në ushtrinë ukrainase.
Izraeli përpiqet të qetësojë SHBA-në me propozime për Gazën; Blinken shkon në Lindjen e Mesme
Zyrtarët izraelitë po përpiqen të shmangin zemërimin në rritje në Uashington në prag të një takimi potencialisht të vështirë midis diplomatit amerikan Antony Blinken dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
SHBA i ka ofruar mbështetje Izraelit që nga shpërthimi i luftës me Hamasin tre muaj më parë, por kërkon të ketë disa lëshime nga Netanyahu për të ulur tensionet rajonale dhe për të ndihmuar në shmangien e një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Antony Blinken, sekretari i shtetit i SHBA-së, mbërriti në Turqi të premten për të filluar një turne njëjavor në Lindjen e Mesme. Gjatë vizitës në Izrael, Blinken pritet të ushtrojë presion mbi Netanyahu për të bërë më shumë për të mbrojtur civilët në Gaza.