Nisur nga rasti tragjik i një gruaje 41-vjeçare, e cila vrau veten për shkak të denigrimit në rrjete sociale, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, njoftoi se do të shqyrtohet me përparësi ashpërsimi i legjislacionit për rrjetet sociale.
“Një nënë e katër fëmijëve, u vetësakrifikua për shkak të denigrimit në mediat sociale,” shkruan Nikolla. “Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si një apel i fuqishëm për shoqërinë dhe institucionet.”
“Kuvendi do të rishqyrtojë menjëherë, me përparësi, ashpërsimin e legjislacionit për mediat online dhe Kodin Penal, sidomos dispozitat që lidhen me krimin kibernetik, sulmet, fyerjet dhe agresivitetin në rrjetet sociale.”
“Agjencitë ligjzbatuese duhet të reagojnë më shpejt, me më shumë forcë dhe efiçience për parandalimin e rasteve të tilla, të cilat ndodhin para syve të të gjithë shoqërisë dhe shkaktojnë ngjarje tragjike e trauma familjare,” shton ajo.
Bedrie Loka, nënë e katër fëmijëve, i dha fund jetës në fshatin Sukth të Durrësit duke pirë fostoksinë. Shkak për fundin fatal të 41-vjeçares, sipas familjarëve, por edhe reagimit të policisë së Durrësit, u bë publikimi i disa videove-montazh në TikTok, me fotografinë e së ndjerës dhe një gjuhë denigruese dhe urrejtje ndaj saj.
Prokuroria ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti, ndërsa shoqëria civile ka njoftuar mbajtjen e një proteste ditën e sotme (6 janar).