Alketa Vejsiu, e cila ka prezantuar edicionin e 59-të të “Festivalit të Këngës” në RTSH, përmes një postimi në Instastory, ka bërë ca kritika ndaj drejtorit aktual të RTSH-së, duke e shprehur se nuk do ta falë kurrë.
Ajo u dha mundësinë ndjekësve që t’i bënin pyetje në Instagram dhe një nga pyetjet ishte: “A do e bëje sërish “Festivalin” e RTSH-së? Pas festivalit tënd, nuk ka pasur më festival të bukur”.
Alketa u përgjigj: “Po, shumë faleminderit. Do e bëja me shumë dëshirë atë festival të lulëzonte si në vitin 2022. Por, unë i zgjedh njerëzit që punoj dhe kriteri nr. 1 është “të jenë njerëz”.
Më tej, vijoi: “S’do ia fal kurrë drejtorit aktual atë që i bëri gruas së babait tim në ditët më të vështira. Edlira mori leje pa të drejtë page dhe ndërsa i shërbente një të sëmuri që luftonte me jetën në spital, edhe pasi lajmëroi, e hoqën nga puna në mënyrën më të shëmtuar që mund të ekzistojë. 32 vite punë në atë televizion. I ka hedhur në gjyq dhe pretendon shumë paga dhe do ta fitojë gjyqin, si shumë të tjerë që kishin të njëjtin fat dhe kanë ndjekur të njëjtën rrugë ligjore. Koston e mban shteti shqiptar për shkeljet e drejtoreshës së DBNJ, Anila Agalliu, e cila nuk dënjon të kthejë as përgjigje, harron që është e përkohshme aty dhe nuk është në biznesin e saj privat që të bëjë ç’të dojë”.
Alketa shtoi:
“Unë i shmang polemikat, por më duhet të mbaj qëndrim publik sot. Kam lexuar shumë për Fredin këtë kohë. Të gjithë ata që e atakojnë (sulmojnë) nuk e kanë dritaren time, kështu që po flas edhe për ata. Mos i shkel kurrë njerëzit që të shtruan rrugën ku ecën ti sot, Fred, me kostumin e një drejtori që s’di ta mbash e nuk të shkon fare, se ti nuk di të jesh njeri dhe ky është kriteri i parë i njerëzve që sjellin progress. Atë pozicion pak njerëz mund ta dinë ta mbajnë. Ti thjesht nuk je i denjë! Të rroftë xhaketa me shamiçkë!”.
“Rastin e kësaj gruaje të mirë që hoqën nga puna do e bëj unë publik, edhe pse mori leje oa të drejtë page, për emergjencë (fatkeqësi) e paparashikuar me ligj dhe kjo më mirëkuptoni, nuk është revolt banale për çështje page, se atë do ta ketë sa të ketë jetën, por çështje dinjiteti dhe të drejtë për atë nepotizmin që ulet këmbëkryq në shumë institucione dukei hequr mundësitë meritës dhe kontributeve të shumë njerëzve. Të shkosh në pension me dinjitet, meqë ka punuar me korrektesë për 32 vjet, është trofe i rëndësishëm, që ti ia vodhe”, shkroi Alketa.
“Karma është një k*rvë, mos e harro, Alfred Peza! Ne të gjithë e marrim atë që meritojmë! Ka Zot!”, përmbylli reagimin ajo.
Emri i Alfred Pezës është lakuar shpesh së fundmi. Bledi Strakosha reagoi ndaj tij, pasi u shkarkua nga puna në RTSH. Përmes një postimi në Instagram, Bledi njoftoi ndjekësit dhe u shpreh: “Tetë vitet e fundit në RTSH për mua u mbyllën. Asgjë e re dhe asgjë tronditëse për dikë që prej 32 vitesh punon në media. Me lëvizjet e tregut, me ndryshimin e shijeve të audiencës e ndoshta edhe me tekat e drejtuesve a me të kujt u gjendet pranë në zyrë a gjetkë në çaste të caktuara të ditës e të natës, jemi mësuar dhe nuk kapemi të papërgatitur. I vetmi emocion (i kuptueshëm kësaj radhe) vjen nga lidhja dhe afërsia shpirtërore imja me këtë institucion ku kam hyrë që fëmijë, ku kam mësuar ABC-në e profesionit, ku jam formuar nga profesionistë të televizionit e të drejtimit të mediave”.
Ai tha se gjatë punës së tij ka parë që të vijnë e të ikin shumë drejtues në RTSH: “Që nga fillimi i viteve ‘90-të kur nisa punën në RTSH, kam parë të kalojnë shumë emra të njohur të televizionit, siç kam parë të vijnë e të ikin drejtues dhe emërues drejtuesish: secili me shkallën e vet të përkushtimit, ndershmërisë, aftësisë, zgjuarsisë, qytetërimit. Për vullnete, të cilat nuk është ky rasti t’i analizoj, RTSH ka shumë vite që ndodhet në gjendjen që njihet, por ajo që mund të them është se në këtë institucion ka ekzistuar një lloj pakti i pashprehur ku profesionistët janë trajtuar të paktën si trajton qytetari shtëpinë me qira apo fshatari hurmën e fqinjit kur i bie në oborr. Për sa po ndodh aktualisht në RTSH nuk bëj asnjë koment. E vetmja frazë që mund të shpreh është se ëndërroj të vijë dita që RTSH të ketë një fat mesatar. Të paktën!”.
Ndërsa, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i dënoi vendimet e drejtorit të RTSH dhe në një deklaratë, u shpreh: “Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vendime të tilla ekstreme i konsideron arbitrare dhe përbëjnë një klimë tensioni, presioni dhe ndëshkimesh ndaj gazetarëve, aq më tepër në kushtet kur në këtë institucion nuk ekzistojnë përfaqësime sindikale dhe struktura dialoguese mes administratorëve dhe entiteteve profesionale apo punonjësve që largohen”.
Edhe Arben Derhemi ka bërë një denoncim publik, ku thoshte se Alfred Peza nuk lejonte që të merreshin fondet për realizimin e serialit “Njerëz dhe Fate”. Aktori i bëri thirrje njerëzve që të kontribuojnë në një GoFundMe të hapur për të financuar serialin dhe theksoi se drejtori i RTSH-së, Alfred Peza refuzonte të firmoste fondet e miratuara për rikthimin e serialit.
“Mirëmbrëma dhe falenderojmë të gjithë dashamirësit e “Njerëz dhe Fate” për mesazhet e ardhura në drejtimin tonë. Por me lajmet e mira vijnë dhe lajmet e këqija. Në këtë moment drejtori aktual i Radio Televizionit Shqiptar, me logjikën e drejtorit-pronar, nuk firmos fondet e miratuara.”, shprehej Drehemi.